Kryetari i shtetit, Ilir Meta, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në shesh më 8 dhjetor për të nderuar lëvizjen e Dhjetorit.

“Të dashur qytetarë!

Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”!

Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit.

Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi! Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998.

Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre. Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor!

Shqipëria e Para!” shkruan Presidenti Meta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu