Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë në mbrëmjen e së premtes, duke thithur interesin e mediave dhe të opinionit publik.

Këtë herë, Meta nuk foli vetëm për krizën kushtetuese në vend. Gjatë fjalimit të tij, Meta la të kuptohet se Shqipëria është në një krizë të gjithanshme. Kreu i shtetit tha se ekzekutivi po kap të gjitha pushtetet e tjera.

Sipas tij, Edi Rama ka futur në dorë të gjitha institucionet, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga Komisioni i Venecias. Por Meta foli edhe për krizë ekonomike në vend. Ai tha se Shqipëria po shpopullohet dhe nuk ka asnjë investim të rëndësishëm të huaj.

“Është koha t’i themi ndal,” tha Meta.

Ai e lëshoi edhe një mesazh për Kuvendin, kur tha se nuk është arritur numri kushtetues prej 140 deputetësh, çka nënkupton se parlamenti nuk është legjitim.

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është betuar që diktatura nuk do të përsëritet kurrë më. Do të qëndroj kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës. Nuk drejtohet Shqipëria me rezolutë, por me Kushtetutë. Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Përmes referendumit të mbrojmë Republikën. Të vendosë populli nëse pranon të kthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte dhe demokracia në veprim”, u shpreh Meta.

“Pushteti ekzekutiv është unifikuar me atë legjislativ, numri kushtetues prej 140 deputetësh ka 10 muaj që nuk plotësohet, janë kapur të gjitha bashkitë e vendit me proces antiligjor, vendi është lënë për dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, janë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë interesin publik, fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura, Shqipëria po shpopullohet pa ndalim dhe nuk ka asnjë investim serioz nga SHBA, Gjermani, Itali apo Britani”, nënvizoi Meta.

Në fund, kreu i shtetit e mbylli duke bërë simbolin e shqiponjës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu