Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i është rikthyer këtë të premte  komunikimit të përjavshëm me gazetarët. Nga ambientet e Presidencës, Meta tha se shfaqja e Kuvendit monist me shkarkimin e tij është një taktikë për të tërhequr vëmendjen nga vjedhja e zgjedhjeve te 25 prillit.

Teksa komentoi fushatën e PS-së, Meta u ndal tek bandelorat që qeveria vendosi në çdo vend me figurën e kreut të shtetit, ku tha se është një veprim i paligjshëm. Duke folur për legjislacionin e ri në Kuvend, Presidenti Meta tha se do të bashkëpunojë me partinë që formon qeverinë, kushdo të jetë ajo.

 “Mirëserdhët në epokën e pluralizmit politik. Duhet të jemi të kënaqur që po kalojmë nga epoka e para 25 prillit të parlamentit monist në një epokë të pluralizimit politik parlamentar. Zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar. Duhet të jemi të duruar derisa të mbarojë vlerësimi i ankimimeve. Shkarkimi ishte shfaqje e parlamentit monist për të spostuar vëmendjen nga krimi zgjedhor.

Një gjë mbetet e qartë se shqetësimet e presidentit u verifikuan. Do ishte mirë të kishim pasur zgjedhje model. Por e dinë të gjithë që presidenti ka bërë përpjekje për të ndaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve.

Numri i denoncimeve është shumë herë më i lartë se në vitin 2017. Kjo ka ndodhur për shkak të mos hetimit të dosjeve të Dibrës dhe Shijakut dhe tentativës për të përsëritur “tërmet”! Nuk kam asnjë shqetësim nga akti i parlamentit të shkarkuar më 25 prill. Pres verifikimin e ankimeve,  do bashkëpunoj me shumicën dhe opozitën e re për rivendosjen e sistemit të llogaridhënies në të gjitha nivelet”, u shpreh Meta.

Po ashtu Ilir Meta tha se do të jetë në detyrë deri më 24 korrik.

“Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar në 25 prill. Unë pres të bashkëpunoj me shumicën e re dhe opozitën e re, me Parlamentin e ri, gjithmonë në respekt të Kushtetutës. Deri në 24 korrik 2022 do të jem këtu”, deklaroi Ilir Meta.

Presidenti deklaroi se Kuvendi aktual është turp i Shqipërisë, ndërsa shtoi se duhet të kenë faqen e zezë ata që mund ta kenë bërë me ndërgjegje këtë turp.

“Ai kuvend është turpi i të gjithë atyre që e krijuan bashkë dhe përjashtoj veten time në mënyrë kategorike nga ajo që ka ndodhur atë ditë që unë kam qenë në Gjermani dhe që ka ndodhur në vazhdimësi. Ai kuvend është një nga faqet më të errëta të Shqipërisë. Faqen e zezë të gjithë ata që mund ta kenë bërë me ndërgjegje dhe Ia dhanë Shqipërisë këtë gjë, dhe e nxorën Presidentin e Republikës në pritë. Sepse lanë pa asnjë mbrojtje institucionale Republikën. Dhe të mos harrojmë. Ka shumë arsye që ky kuvend votojë në atë mënyrë”, deklaroi Meta.

Presidenti Ilir Meta deklaroi se shkarkimi i tij nga Partia Socialiste në Kuvendin “e shkarkuar që më 25 prill” është bërë për të tërhequr vëmendjen nga zgjedhjet.

“Theksoj gatishmërinë time për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje brenda afatit ligjor që ishte data 10 maj, dhe për të cilën i lajmërova shumë ditë më parë, por e refuzuan. Ata e kishin me diktat që presidenti duhet të linte takimin e planifikuar me ministren e jashtme të Austrisë për t’iu nënshtruar tekave të parlamentit të 120-ës”,theksoi Ilir Meta.

Urdhri i Biden

Presidenti Ilir Meta në konferencën me gazetarët, përshëndeti urdhrin Ekzekutiv të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden për të futur Shqipërinë në listën e vendeve që u bllokohet pasuria në SHBA zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar që janë futur në listën e zezë.

Po ashtu Meta u shpreh se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

“E përshëndes si vendim, Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet i të gjithëve”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu