Presidenti Ilir Meta ka bërë me dije për herë të parë se është ankuar zyrtarisht për sjelljen e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, duke e cilësuar si jokorrekte. Në vazhdën e 72 përgjigjieve të Presidencës, Meta ka bërë me dije se për sjelljet dhe ndërhyrjet e ambasadores Kim, edhe pse nuk e ka përmendur me emër, është ankuar në instancat përkatesë të vendit, pra në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse nuk e përmend me emër, Kim është e vetmja përfaqësuese e huaj me të cilën kreu i shtetit ka pasur përplasje së fundmi.

PËRGJIGJIA E METËS:

Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?

Përgjigja: Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij. Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë. Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese.

Por si ka nisur përplasja mes ambasadores Yuri Kim dhe presidentit Meta?

Krisja mes tyre nisi pas disa takimeve të shmangura mes ambasadores amerikane dhe kreut të shtetit, por u intensifikua gjatë fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Meta paralajmëroi që askush të mos e prekte votën, ndërsa Yuri Kim iu përgjigj duke i konsideruar të papranueshme retorikën e tij për “sfuqe” dhe prerje duarsh për ‘hajdutët e votave’.

“Është e papranueshme për këdo që kërcënon se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal!”

Kaq ka mjaftuar që Meta të lëshojë një sërë akuzash ndaj ambasadores LIVE.

“Ilir Meta e di që nuk është i pavdekshëm, nuk jam nga ata që mendojnë se jam i pavdekshëm, se kur ka vdekur dhe Skënderbeu, jo më Ilir Meta. I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë. Takimin e parë ia kam thënë zonjës, moj zonjë, je këtu për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe jo mes Serbisë dhe Amerikës”