Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë proceduan penalisht shtetasin D. N., 21 vjeç, banues në Memaliaj, pasi mbrëmjen e djeshme, në dalje të qytetit Memaliaj, ka qëlluar me armë sportive (me saçma), në rrugë, qenin e shtetasit S. D.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet tip “Ford Fokus”, një pushkë sportive dhe një kuti metalike, brenda së cilës u gjet një sasi me saçma pushke sportive.

Materialet në ngarkim të shtetasit D. N. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”.