Mundimi më i madh i atyre që kanë pushtetin e vërtetë tek rilindja, është media, propaganda, dalja sa më mirë në ekran. Make-up-i televiziv dhe në portale, është puna e parë, kryesorja, prioriteti i prioriteteve.

Duke qënë se kjo është kthyer qëllim në vete, edhe gara mes ministrave, kryetarëve të bashkive, apo zyrtarëve të lartë të mazhorancës, është transferuar pikërisht në këtë lëmë.

Shumë pronarë dhe drejtues mediash, tregojnë në ato rrëfimet e tyre në kafe e me miq, se ministrat e rëndësishëm që kanë në dorë pjesët kryesore të buxhetit dhe projektet e mëdhaja financiare, apo kryetarë bashkie, si ai i Tiranës, në raportet që vendosin me ta, kanë një kërkesë të formuluar qartë, shkurt dhe në mënyrë lakonike: Ne kemi punë bashkë, dua të dal sa më mirë, me Ramën bëj ç’a të duash.

Kjo nuk është më legjendë, por një ndodhi që shihet, preket e verifikohet lehtë sot nga një vëzhgues normal i mediave.

Televizione apo media të shkruara, ose portale, që janë në pozicione të ashpra kritike me kryeministrin dhe shumicën në tërësi, ka jo pak raste që spikasin për raporte miqësore e preferenciale me eksponentë të caktuar të rilindjes.

Lojtarët në këtë mes janë disa.

Po nga më të dukshmit, është kryetari i bashkisë së Tiranës.

Kjo për shkak se interesat e pjesës më të madhe të botuesve dhe pronarëve të medias lidhen me territorin që ai mbulon, por edhe për shkak të një autonomie që ai ka ndaj Ramës, në krahasim me ministrat.

Ministrat aplikojnë sigurisht trafikun e tyre personal të influencës, por sidoqoftë, janë më të kontrollueshëm nga shefi Rama.

Këto zhvillime padyshim dëshmojnë për një copëzim të pushtetit dhe për rendje drejt ambicieve personale. Shumë faktorë, aktorë dhe lojtarë të rëndësishëm në PS, projektojnë që tani të ardhmen e tyre në politikë, dhe ndjekin interesin personal, për të siguruar një vend të ngrohtë nesër, kur Rama të mos jetë më, e ata bëjnë llogaritë e tyre për qendrimin komod në opozitë, dhe kalkulojnë po ashtu rikthimin e mundshëm sërish në pushtet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu