Nga Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare miratoi me një akt normativ, një marrëveshje sekrete me kompaninë Pfizer Export BV për blerjen e një sasie të vaksinës kundër COVID-19, por në aktin normativ të publikuar në fletoren zyrtare deklarohet, se kompania ka kërkuar që kontrata, përfshirë çmimin, sasinë dhe afatet e dorëzimit, të mos bëhet publike.

‘Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publi, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare,’ shkruhet në aktin normativ, i cili ngarkon edhe institucionet e përfshira në proces që të ‘mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur’ me këtë akt normativ.

Pfizer ka kërkuar nga shumë vende që çmimi i shitjes të mos bëhet publik ndërsa vaksina anti-covid pritet t’i sigurojë asaj dhjetëramiliardë euro të ardhura përgjatë pak viteve.

Në Belgjikë Pfizer u ankua dhjetorin e kaluar se një politikane vendëse publikoi çmimin me të cilën qeveria e Belgjikës kishte rënë dakord të blinte pesë milionë doza. Sipas një lajmi të Reuters, çmimi i paguar nga Belgjika ishte 12 euro për dozë. Ndryshe nga Belgjika, sipas Reuters, çmimi që Bashkimi Europian ka pranuar të paguajë 15.5 euro për dozë.

Shqipëria nisi procesin e vaksinimit disa ditë më parë me një sasi të vogël vaksinash që po përdoren për stafet mjekësore të spitaleve COVID-19. Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë kanë refuzuar të deklarojnë se si arritën të sigurojnë sasitë e parë prej rreth 1000 vaksinash apo çmimin e paguar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu