Nga Armand Mamani

Nisur nga situata “Corona” e krijuar dhe përshkallëzimi i situatës në disfavor të njerëzve, nuk mund të aëndroj pa shprehur shqetësimin si qytetar i Gjirokastrës time. Ndoshta për shkak të formimit tim në shkencat e natyrës, bashkuar kjo edhe me eksperiencën time në shërbimin shëndetësor të Gjirokastrës si ish drejtor i Spitalit mendoj se e njoh disi më mirë situatën se një qytetar i zakonshëm.

Qëndrimin tim në shtëpi e shikoj me dy këndvështrime, nga njera anë të domosdoshëm si masë parandaluese për përhapjen e sëmundjes dhe nga ana tjetër shqetësues kur e di se aty jashtë mund të kenë nevojë për mua në përballimin e situatës. E pakta që mund të bëj në këto kushte është të jap mendimet dhe ti ngre shqetësimet e mia.

Së pari nëse akoma dikush ka dyshime për fuqinē e virusit CORVID-19, i them se nuk është një rast i zakonshëm por po përballemi me një armik që nëse sot mund ta kufizojmë me larje duarsh dhe vetëizolim apo e dimë se jep pasoja fatale në një kategori të caktuar njerëzish, nesër mund të ndodhë që çdo gjë të ndryshojë dhe as këto masa të mos japin efekt apo të japë probleme edhe në kategori të tjera njerëzish pasi viruset janë shumë të afta të pësojnë ndryshime gjenetike. Kjo është frika më e madhe që kanë shkencëtarët sot prandaj faktori më i rëndësishëm është faktori kohë, pra ta zhdukim sa më shpejt për të mos i lënë kohë për të ndryshuar.

Në këtë situatë ndryshojnë rregullat dhe nga një qëndrim civil duhet të kalojmë në një qëndrim me rregull ushtarak ndaj të jemi të gjithë në një mendje me masat që ka marrë qeveria për këtë situatë, pavarsisht dakordësisë ose jo për mënyrën sesi zbatohen dhe pavarsisht ndarjeve politike, pra askush nuk mund të “gjejë strehë” politike për të kundërshtuar këto masa. Dua t’ju drejtohem të gjthë qytetarëve të Gjirokastrës.

Kemi kaluar dallgë edhe më të mëdha se kaq madje edhe nga ato që nuk na takonin ti kalonim prandaj nuk ka arsye për tu trembur. Nuk është e vërtetë që është hera e parë për Gjirokastrën një situatë e tillë absurde. Lexoni “Kronikë në gur” dhe do shikoni që të parët tanë kanë kaluar “kohë magjish”, “kohë bombardimesh”, ne vetë kaluam “kohë 97’”. A nuk duket gjithmonë në fillim sikur nuk do mbarojë kurrë?

Sot duhet ta shikojmë me syrin e qytetarisë zbatimin e rregullave që janë vendosur nga OBSH dhe nuk është e nevojshme të hakërrehemi tek policët apo inspektorët që janë në zbatim të ligjit Ju drejtohem mjekëve, infermierëve dhe gjthë personelit shëndetësor të Gjirokastrës. Gjithmonë keni ditur të përballoni situata të vështira, e ka treguar doktor Vasil Laboviti në kohën e luftës, e treguat në vitet e vështira ‘90-‘91, e treguat në vitin e mbrapshtë ‘97, në fakt e tregoni çdo ditë të punës tuaj por po e tregoni dhe tani. E di që do vazhdoni të bëni maksimumin dhe ndaj jam i qetë. Respekt maksimal për punën tuaj dhe një FALEMINDERIT E MADHE! Pothuaj të njëjtin vlerësim edhe për policinë e shtetit, inspektoriatet dhe të gjitha institucionet që po punojnë për zbatimin e masave duke u ekspozuar vetë ndaj rrezikut.

Kur shikoj se në krye të Prefekturës është një ushtarak (profesioni ideal), në krye të Bashkisë është një mjek dhe ish drejtor i DSHP (profesioni ideal), në krye të Spitalit është një biznesmen (mund ta ndihmojë në lidhjet personale për kryerjen e detyrës), them se Gjirokastra nuk është aq pa fat në këtë situatë. Megjithatë kam disa shqetësime të cilat ndoshta i kanë edhe qytetarët e tjerë, të cilat lidhen me masat që janë marrë pikërisht në Gjirokastër. Duke mos patur asnjë informacion e shoh të drejtë që ti drejtohem pikërisht autoriteteve kryesore që kanë detyrimin të merren me këtë situatë.

Së pari i drejtohem Prefektit të Gjirokastrës zotit Astrit Aliaj, si kreu i Komitetit të Emergjencave në raste fatkeqsish. Pavarsisht se ende nuk është një situatë e tillë emergjente mendoj se ai duhet marri informacione nga institucionet përgjegjëse dhe AI VETËM AI, të japë informacione zyrtare për situatën në Qarkun e Gjirokastrës dhe masat e marra. Nisem për këtë edhe nga një lajm i përhapur në rrjete sociale se ka një rast që dyshohet me virusin në Gjirokastër por nuk asnjë informacion zyrtar.

Zoti Prefekt, në syrin tim dhe të gjithë qytetarëve por edhe me kompetencat që të jep ligji je përfaqësues i qeverisë dhe autoriteti kryesor në përballimin e situatës, pra njeriu ku ne duhet të kemi sytë sot. Gjithmonë në këto situata njerëzit në pozicion si i juaji bëjnë ndryshimin. Ju keni qënë ushtarak dhe ndoshta kjo është situata ku ju mund të bëni vërtet ndryshimin. Së dyti i drejtohem Kryetarit të Bashkisë z. Flamur Golemi. Duke qënë se në profesion është mjek por edhe ka punuar në drejtim të Shëndetit Publik, por edhe nga pozicioni ku êshtë aktualisht, ka ardhur momenti që të japi maksimumin e tij në përballimin situatës. Lërini për momentin daljet e kota mediatike, lërini “armiqësitë” politike, lërini shkëputjet e mardhënive të punês për njerëzit që janë lajmëruar në kuadër të ristrukturimit pasi sot më shumë se kurrë të duhen njerëz për punë. Ngre grup pune me njerëz që dinë dhe janë gati të investohen. Dezinfekto gjithë qytetin se nuk ka arsye pse të mos e bësh. Nëse duhen njerëz organizo vullnetarët.

Unë i pari jam gati të jap ndihmën time për përballimin e situatës në çdo sektor që duhet. Nëse të duhen makina merri se nuk ti pengon njeri. Nëse të duhen fonde ndryshoje me Vendim të Këshillit Bashkiak buxhetin dhe jep fonde për ndihmën e familjeve në nevojë se nëse kjo situatë vazhdon gjatë do na çojë të gjithëve “familje në nevojê”. I drejtohem Drejtorit të Shërbimit Parësor z. Shpëtim Novi dhe Drejtorit të Spitalit z. Sokol Feruni. E di shumë mirë situatën e vështirë ku ndodheni dhe jam në përkrahjen tuaj. Nuk kam informacion çfarë masash keni marë për situatën prandaj unë do them se çfarë do bëja nëse do të isha në vendin tuaj.

Problemi kryesor juaj në këtë moment është të siguroni bazën materiale pasi sot kërkesa për to është shumë e madhe në gjithë Evropën dhe ma merr mendja se do të keni mungesa dhe sa të keni mungesa nuk mund t’ju zërë gjumi. Bëni një plan me specialistët që keni dhe shfrytëzoni çdo kanal, poltik, tregëtar, miqësor a familjar që ti siguroni. Çfarë mungesash nuk arrini ti plotësoni merrni takim me bizneset dhe persona të tjerë me influencë e që për fat nuk i mungojnë Gjirokastrës.

Bëjeni për Gjirokastrën dhe gjirokastritët do t’ju falenderojnë. Ju drejtohem Organizatave OJQ dhe OJF, Kryqit të kuq Gjirokastër. Nuk është koha të mbani distancë por t’ju drejtoheni troç njerëzve se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë ju duhet. Gjirokastra sot ka nevojë për ju por edhe di t’ju përgjigjet për çdo kërkesë. Lëvizni! Se ndoshta në opinionin tim nuk po bëni sa duhet. Lërini për momentin angazhimet për dixhitalizimin apo për metodat në prindërim dhe merruni me problemet emergjente pasi jeni të organizuar dhe mundeni të bëni sadopak që është më shumë se aspak. Ju drejtohem mediave. Keni një rol shumë të rëndësishëm sot kur jemi të detyruar të mos takohemi me njeri tjetrin dhe kur jemi të detyruar t’ju ndjekim.

Së pari vlerësojeni lajmin si do ta përjetojnë të afërmit tuaj dhe nëse e ndjeni se po bëni gabim mos e jepni atë dreq lajmi. Askush, as ndërgjegja juaj nuk e pranon justifikimin se “dhe lajmin” apo “të urdhëroi shefi” nëse do bëni që njerëzit të ndihen keq. Së dyti, për radiot dhe televizionet RTSH Gjirokastër, ALPO dhe Channel 7, “harroni” të drejtat e autorit dhe jepni programe tepër argëtuese sidomos për moshat e reja në mënyrë që ta bëni sa më të lehtë qëndrimin e detyruar të tyre në shtëpi. Kalojmë këtë situatë e pastaj ti vëmë gishtin kokës që të mos përsërisim ato gabime që na sollën këtu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu