Policia e Mallakastrës ka gjetur dhe sekuestruar 70 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe ka vënë në pranga autorin e dyshuar të kultivimit.

Në njoftimin e bluve thuhet se E.G, 39 vjeç tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes në momentin që ka parë forcat e policisë.

“Si rezultat i një hetimi dyjavor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacioni policor i koduar “River”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 39 vjeç, banues në fshatin Lapulec, Mallakastër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjatë këtij operacioni, në një sipërfaqe toke të pyllëzuar, në fshatin Lapulec, anës lumit Gjanica, u gjetën të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Shtetasi E. G. u gjet, si rezultat i kontrolleve nga shërbimet e Policisë, në vendin ku ishin kultivuar bimët narkotike. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i kultivimit të bimëve të dyshuara narkotike cannabis sativa.

39-vjeçari, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të punonjësve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.