Pak ditë më parë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshi deklaroi në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Kuvend, se po përgatit një ligj për të larguar nga puna policët që janë mbi 55 vjeç.

Reagimet ndaj këtij ligji diskriminues ishin të forta dhe duket se kanë bërë që edhe ministria të tërhiqet.

Por tani ka dalë në pah një tjetër skemë që është propozuar nga ministria e Brendshme.

Eshtë propozuar që policët mbi 55 vjeç të mos bëhen më pjesë e punëve operacionale, por të merrem me punë të lehta dhe të paguhen me gjysmën e rrogës.

‘Të gjithë punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë mbi 30 vite eksperiencë në punë, mund të largohen nga punët operacionale dhe të angazhohen me detyra më të lehta, me gjysmën e kohës dhe me gjysmën e pagës, deri në ditën e daljes në pension’, shkruan Tvklan.

Kjo lëvizje është parashikuar në një projektligj të hartuar nga Ministria Brendshme. Janë 613 efektivë që mund te preken. Vendimi është me dëshirën e punonjësit të policisë, por mund të vendoset edhe nga eprori i tij.

Nëse ata që plotësojnë këtë kriter vendosin të qëndrojnë në detyre, do të duhet të kryejnë 700 orë punë në vit, në fushata sensibilizuese apo në marrëdhëniet e policisë me komunitetin.

Nëse nuk do t’i plotësojnë këto orë pune, u ndërpritet paga. Qëllimi i projektligjit është rinovimi i strukturës së policisë duke ulur moshën mesatare.

Aktualisht projektligji është në fazë diskutimi në komisionin e sigurisë dhe atë të financave. Mosha mesatare e policisë në vendin tonë është rreth 46 vjeç dhe synohet që brenda një periudhe tre vjeçare, ajo të zbresë në 44 vjeç.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu