Nga Kim Mehmeti

Kohët e pas-zgjedhjeve parlamentare janë si ato të pas-përmbytjeve, e kur uji që tërhiqet, lë pas vetes ose humus që tokën e bën më pjellore, ose mbeturinat e mbledhura vite me radhë, e që atë e helmojnë. Pra në vendet ku funksionojnë institucionet e shtetit, zgjedhjet e radhës, vetëm e forcojnë shtetin, e në ato si ‘Shqipëritë’ tona, ato janë kapak i gropës septike, e ku janë derdhur ujërat e zeza politike të tri dekadave të fundit.

Shqipëria e sotme e jeton periudhën pas-zgjedhore, e të cilat zgjedhje, përpos me mosnjohjen e tyre nga ana e opozitës, me shumëçka tjetër dallojnë nga më të mëparshmet. Dhe nëse me hiçgjë tjetër, dallojnë për nga qartësia se ato i fiton paraja, forca, krimi dhe ‘Sigurimsat’ e regjimit, të cilët ‘Sigurimsa’ aq hapur nuk i kishte përdorur as xhaxhi Enver.

Dhe tani kur pritet përbërja e re qeveritare, një gjë është e sigurte: ‘patronazhistët’, apo ‘Sigurimsat’ e ‘Rilindjes’, do vazhdojnë veprimtarinë e vet, duke e thelluar në frikën se jemi e do mbetemi të mbikëqyrur e të përcjellë, kështu që përpos dashnoreve tona, regjimi do dijë edhe numrin e këpucëve që mbajmë, edhe atë thuajse sa për të na e bërë gati veshmbathjen e burgut. Pra, çka do që të ndodhë sot e tutje, Shqipëria duhet ta dijë se e drejton mendësia që mbrohet nga populli, e që nuk e mbron shtetin e popullin.

Dhe përpos zgjedhjeve që i fituan ata që shtetin e blenë nga votuesit, Shqipërisë i arritën edhe listat e zeza të DASH-it. E të cilat tregojnë se përderisa je ‘dele’, të cilën e qethin ‘Sigurimsat’ e ‘Rilindjes’, mos i kritiko as projektet e pasuksesshme që i financon DASH-i, si për shembull atë të reformës në drejtësi, që nuk iu lejua Maqedonisë nga ndërkombëtarët me arsyetimin se ajo kishte dështuar në Shqipëri.

Por sido që të qëndrojë puna me zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri dhe me listat e DASH-it, duhet përsëritur me qindra here se nëse ne shqiptarët vetë do e kishim bërë ‘listën e zezë’ të burrështetasve që e plaçkitën shqiptarinë, e të cilëve, do duhej t’ua ndalonim të kandidonin në zgjedhje e të dilnin nga ‘Shqipëritë’ tona pa ne e kthyer të vjedhurën, shumë pak politikanë të tri dekadave të fundit do mbeteshin jashtë asaj liste.

Dhe në krye të asaj liste do duhej të ishin ata që e rrënuan Teatrin Kombëtarë në Tiranë, ata që e ringjallën ‘Sigurimin’ e Enverit. Pra ata që Tiranën e bënë lavatriçe ku lahet pisllëku që është duke e kalbur Shqipërinë, ku ndërtohen kulla të larta që atë e çojnë drejt qiellit, por duke ia shkulur rrënjët e të shkuarës shqiptare.

Por ja, ngaqë u treguam popull i paaftë për ta mbrojtur vetveten nga të vetët edhe na ndodh që ‘lista e zezë’ amerikane të na bëjnë ta harrojmë ‘librin e zi’ të vjedhjes zgjedhore të 25 prillit në Shqipëri. Ku ta dish, mbase edhe ai është qëllimi i listave të zeza që na vijnë nga përtej oqeani?!

Dhe ku ta dish, mbase edhe s’mund t’u ndodhë asgjë më e mirë ‘deleve’ politike që i qeth kushdo që ka gërshërë të mprehta, apo atyre që ndërtojnë demokraci me dy të pafytyrë që e mbivotojnë të ndershmin, me një të pasur që e përcakton vullnetin politik të mija të varfërve, me një të pushtetshëm që i nënshtron dhe i detyron ta votojnë qindra hallexhinj…, dhe atyre që assesi ta kuptojnë se  politika i zgjidh problemet që vetë ajo i shkakton dhe se, nga politika s’mund të pasurohet ai që e mbron, por ai që e shet atë që i takon popullit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu