Qytetarët që duan shërbim më të shpejtë dhe cilësia më të mirë do duhet të paguajnë, kështu u shpreh deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu në ‘Studio Live’. Në kuadër të projektligjit të ri për shëndetësinë, deputetja foli rreth autonomisë spitalore. Ajo u ndal tek projekti më i ri i cili do të funksionojë në 4 pole rajonale ku do të përmblidhen në disa zona.

‘Reformë tepër e rëndësishme. Është vendosur që të kemi një plan kombëtar, për shembull ku duhet të investohet në bazë të zonave dhe sëmundshmërisë.

Përveç spitaleve po punojmë fort të krijojmë 4 pole rajonale. Si shembull, spitali rajonal. Spitale që do të jenë qendra në disa zona.

Ne t’i ofrojmë shërbim qytetarëve  më pranë.’- tha Spahiu.

Deputetja u ndal edhe te e ashtuquajtuara, ‘Autonomia spitalore’, ku fokusi kryesor sipas saj ishte cilësia. Natyrisht, sipas saj, për të pasur një cilësi të mirë shërbimi dhe më të shpejtë, nga pacientët që kanë dëshirë, do të ofrohet kundrejt një shumë të caktuar. Spahiu u ndal edhe te pagat e mjekëve ku tha se do ketë një vlerësim në bazë të performancës.

‘Rritja e cilësisë. Nëse një spital ka funksionuar nga menaxhimi i shtetit, tashmë do të ketë një kriter tjetër, nëse një spital plotëson kriteret dhe arrin të marrë një kartë për shërbimet e  caktuara, ai mund të ketë të ardhura dytësore.

Për shembull nëse një pacient i cili për një shërbim të caktuar nuk do të presë një muaj por do të marri shërbimin sot, padyshim që do të ketë një kosto shtesë. Ose nëse do të ketë kushte më të mira, kushte hotelerie më të mira, atëherë ai pavion do të ketë kushte të tjera.  Vlerësimi i punës së mjekëve nuk bëhet i njëjtë për të gjithë, por në bazë të kriterit të përformancës.’

E pyetur nëse bie kjo ndesh me ‘shëndetësinë falas’ që u nënshkrua në 2013, deputetja u shpreh se duhet të kalojnë në një model të ri.

‘Nuk besoj se kjo bie ndesh, kjo rrit konkurrencën midis spitaleve. Duhet të kalojmë në një model të ri, ku nevojat të varen nga kërkesat që ka rajoni. Të mos mbetemi në buxhete historike, është e pamundur, nuk e kërkojmë dot cilësinë.’- tha Spahiu.