Drejtoria Hetimeve e SHÇBA ne bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Vlorë-Gjirokastër ekzekutoi vendimet penale të masave të sigurimit personal (ndaluese) të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për 4 punonjës policie, me masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi”, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”:

– N/Komisar U.Sh, me detyrë, ish-Shefi i Stacionit të Policisë Dropull;

– N/Komisar E.R., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në  Stacionin e Policisë Dropull;

– Inspektor H.L., me detyrë SPZ në Stacionin e Policisë Dropull;

– Inspektor S.B., me detyrë ish-oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Dropull.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.G., nga Lazarati,  për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka caktuar masën e sigurimit  “Arrest me burg”.

Këto veprime proceduriale janë vijim i hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019, i cili bën fjalë për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e “Shpërdorim detyre”. Në datën 23 korrik 2019, në kuadër të këtij procedimi, në fshatin Hllomo, Njësia Administrative Pogon u finalizua një operacion në të cilin u asgjësuan disa bimë narkotike, të llojit kanabis.

Ky procedim është ndjekur me metoda pro-aktive dhe gjatë hetimeve janë grumbulluar fakte dhe prova, të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se këta punonjës policie, me veprimet dhe mosveprimet në mos-përmbushje të detyrës funksionale dhe me qëllim përfitimin e paligjshëm kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu