Vijon operacioni policor i koduar “Road Guard”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Transportonin 4 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen dy automjete, dy aparate celulare dhe një sasi parash.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Lala, 22 vjeç dhe Klevi Myftari, 20 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit e mësipërm, duke transportuar me automjetet e tyre, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, dy aparate celulare dhe një shumë parash.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.