Kontrolle masive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet me sukses operacioni antikanabis, i koduar “Procesi”.

Gjenden dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, gati për t’u kultivuar në një sipërfaqe toke të shpyllëzuar.

Vihet në pranga autori i dyshuar i tentativës për kultivim.

Procedohet penalisht kryeplak i fshatit, për shpërdorim detyre.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, bazuar në informacione të marra në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Procesi”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 32 vjeç, banues në Memaliaj.

Ky shtetas kishte shpyllëzuar një sipërfaqe toke në pyllin e fshatit Zhapokikë, Memaliaj, dhe po e përgatiste për të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan.

Gjatë kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasit E. S. u gjet  dhe u sekuestrua një armë elektroshok, të cilin ky shtetas e mbante pa leje.

Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi L. K., 66 vjeç, kryeplak i fshatit Zhapokikë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.