Vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 17”.

Transportonin 11 emigrantë nga vendet e treta, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen një automjet, tre aparate celulare dhe 50 euro.

Njoftimi i policise:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 17”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. S., 21 vjeç dhe B. A., 31 vjeç, banues në Durrës. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Rrugore kapën në flagrancë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavije, shtetasit Xh. S. dhe B. A., duke transportuar me një automjet tip furgon, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, tre aparate celulare dhe 50 euro.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.