Rivaliteti mes dy kompanive të pajisjeve teknologjike për një tender me fond 600 milionë lekë për tonera boje për Posta Shqiptare sh.a, zbulon një vendimmarrje në kufijtë e skandalozes nga ana e institucionit të drejtuar nga Laert Duraj.

Posta Shqiptare ka shpallur në Mars 2020 një tender për blerjen e tonerave (depozita boje) për printerat “Canon” dhe “Dell” që janë në funksion në zyrat e institucionit. Vlera limit e tenderit ishte parashikuar mbi 60 milionë lekë të reja, pa TVSH.

Në tender morën pjesë 3 kompani, nga të cilat dy u skualifikuan dhe në garë mbeti vetëm një prej tyre, e cila u shpall edhe fituese.

Një prej kompanive u skualifikua, pasi nuk kishte paraqitur ofertë ekonomike. Ndërsa tjetra u largua nga gara, pasi titullari i autoritetit kontraktor, Laert Duraj, nëpërmjet Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), kishte konstatuar se ajo nuk kishte paraqitur në tender mallin e kërkuar sipas specifikimeve teknike.

Kompania e skualifikuar, “Infosoft”, e cila kishte dhënë edhe një ofertë rreth 100 milionë lekë (të vjetra) më të ulët se fituesi, e ankimon vendimin e Posta Shqiptare.

Institucioni i drejtuar nga Laert Duraj e rrëzoi ankesën, duke lënë në fuqi vendimin e saj paraprak.

Në këto kushte, kompania e skualifikuar iu drejtua Komisionit të Prokurimit Publik. Ky institucion, me një vendim 5-0 të anëtarëve të saj, hodhi poshtë pretendimet e Posta Shqiptare, duke i dhënë të drejtë argumentave të paraqitur nga ankimuesi.

“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e plotë të Komisionit të Prokurimit Publik, në të cilin, përveçse u rrëzua qëndrimi i “Posta Shqiptare”, po zbulon edhe disa detaje të dyshimta mbi mënyrën se si kanë vepruar vartësit e Laert Duraj në këtë procedurë të prokurimit publik.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania “Infosoft”, e cila kishte paraqitur ofertë në vlerë 37 milionë lekë (të reja), u skualifikua, pasi “Posta Shqiptare” sh.a konstatoi se boja e printerit, e paraqitur prej saj, nuk ishte me të njëjtat numra serie, të kërkuar në specifikime teknike.

Kompania e skualifikuar renditi disa arsye se përse vendimi i Laert Duraj ishte tërësisht i gabuar. Sipas ankimuesit, boja e printerit, e paraqitur prej tij, ishte prodhim i kompanisë së kërkuar nga autoriteti kontraktor, ishte origjinal, me cilësitë e kërkuara, si edhe për printerat që kishte vendosur vetë “Posta Shqiptare”.

Diferenca e vetme, e cila i ka shërbyer ‘Posta Shqiptare” për skualifikimin e saj nga gara është “part number”, një numër serie që nuk lidhet aspak me cilësitë e bojës, por vetëm me vendin, ku është prodhuar toneri përkatës, në morinë e filialeve prodhuese që kanë kompanitë gjigande ndërkombëtare në shtete të ndryshme.

Madje, siç konstatoi ankimuesi, edhe kompania e shpallur fituese “E…” shpk, e cila dha ofertën 47 milionë lekë (të reja), kishte paraqitur të njëjtat tonera boje dhe ishte kualifikuar.

Komisioni i Prokurimit Publik deklaron se, për një vendimmarrje më të drejtë mbi ankimin, i është drejtuar në mënyrë elektronike selive të kompanive prodhuese të tonerave të bojës, “Canon” dhe “Dell”.

Por, për shkak ndoshta edhe të faktit se shqyrtimi i rastit është bërë gjatë muajit Gusht, KPP nuk arriti të marrë përgjigje nga kompanitë ndërkombëtare.

Në këto kushte, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të zhvillonte seancë dëgjimore dhe ballafaqimi mes palëve.

“Posta Shqiptare” sha i qëndroi vendimit të saj për skualifikimin e “Infosoft”, ndërsa kompania private paraqiti objeksionet e saj.

Gjatë ballafaqimit, KPP konstatoi se “Posta Shqiptare” sha nuk kishte kryer asnjë lloj verifikimi, për të provuar nëse produkti i paraqitur në tender nga kompania ankimuese ishte brenda standartit të kërkuar apo jo.

Nga verifikimet e trupës së Komisionit të Prokurimit Publik, rezultoi në përfundim se “Posta Shqiptare” sh.a e kishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë operatorin ekonomik.

Në konkluzion, me vendimin e datës 14 Shtator 2020, KPP vendosi të pranojë kërkesën e ankimuesit, duke rrëzuar në këtë mënyrë pretendimet e Laert Durajt dhe stafit të tij përfaqësues.

Komisioni i Prokurimit Publik mori vendimin me 5 vota pro, me një veçanti që kryetari i tij, Jonaid Myzyri, kishte mendim paralel për argumentimin, por jo për konkluzionin përfundimtar.

Burimi: Boldnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu