Nga Armand Maho

Karikatura e artistit Bujar Kapexhiu ilustron pikërisht atë çka po ndodh në Partinë Demokratike.

Jo më kot Kapexhiu në fund të litarit që tërheq karrigen e Bashës ka vënë kryeministrin Rama. Dorëheqja e Bashës në këtë moment, do të certifikonte si të ligjshme zgjedhjet e 25 prilli, ku të gjithë e panë se çfarë ndodhi.

Sepse dorëheqja si akt bëhet në momentin kur janë zhvilluar zgjedhje me rregulla të barabarta loje. Por në situatën që u krijua, ishte në kufijtë e të pamundurës për çdo opozitë për të fituar.

Përdorimi i administratës, shitblerja e votës, shantazhi, apatia e policisë dhe SPAK për denoncimet, bandat e krimit të organizuar që u përdorën për sekserë e çuan fitoren e opozitës në kufijtë e të pamundurës.

Mazhoranca targetoi shtresat vulnerabël, të prekurit nga rindërtimi dhe e zgjidhi qesen. Rekrutoi pafund njerëz në administratat lokale në kundërshtim me ligjin, vodhi databazën e të dhënave personale dhe përdori patronazhistët për të evidentuar shtresat më të dobëta me qëllim që t’i blinte në një mënyrë ose tjetër votën.

Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Sot Rama ka 74 mandate të tijat, dhe së bashku me Tom Doshin shkon në 77 mandate, gjashtë mandate më shumë se sa i duhen për të formuar qeverinë.

Natyrisht dhe opozita ka gabimet e saj, e cila duhet t’i kish bërë më mirë llogaritë elektorale. Përfaqësimi në disa qarqe mund të kish qenë më i mirë, dhe strategjia e futjes në garë me aleatët më efikase. Evidentimi i resurseve të opozitës, në disa raste nuk u bë siç duhet, duke vendosur njerëzit e gabuar në disa zona.

Por dhe në rast se do shmangeshin këto mangësi, sërish një makine elektorale me resurse administrate dhe fonde të buxhetit është e pamundur t’i bësh ballë. E shumta mund të minimizonte humbjen, por fitorja duket larg. Basha për këto nuk mund të fajësohet, pasi u vu re se dhe atje ku ishin njerëzit e duhur opozita pati rritje si në të gjithë vendin, por dhe mazhoranca vazhdoi rritjen e saj.

Pra, si askund kishim një opozitë që rritej natyrshëm, por dhe një mazhorancë që rritej në mënyrë të panatyrshme. Duhej të ndodhte e kundërta. Basha sot është i vjedhuri, dhe gishti përgjithësisht drejtohet te vjedhësit.

Dorëheqja e tij do mbyllte çdo dyshim se zgjedhjet u deformuan, dhe kjo nuk do ishte e pranueshme për elektoratin e djathtë. Është kjo arsyeja që shumica e atyre që kërkonin dorëheqjen Bashës në vitin 2017, sot janë në krah të tij duke e stimuluar për të vazhduar të qëndrojë aty ku është.

Fajin e ka një fajtor, dhe ai në këtë rast sado të kërkojmë “gjilpërën në kashtë” nuk është Basha, por Rama. Kreut të opozitës për momentin i kërkohet që të vërtetojë këtë gjenocid elektoral, më tej është në dorën e tij të japë ose jo dorëheqjen. Por jo se ia kërkojnë Imami, Nishani, apo Harxhi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu