Pasi kaloi një vit me protesta dhe rrëmujë politike, nga data 1 janar Kryeministri Rama merr edhe drejtimin e OSBE.

Pra, Shqipëria do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përkundër krizës politike në këtë vend.

OSBE e ka selinë e vet në Vjenë, ndërsa pjesë e kësaj organizate janë 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Detyrat e OSBE-së janë të shumta; prej vëzhgimit të zgjedhjeve, luftës për lirinë e shtypit, mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera.

Por në Tiranë kriza vazhdon e egër. Nuk ka parlament, pushtetin lokal e ka vjedhur PS, nuk ka liri fjale, nuk ka rregulla demokratike, kryeministri ka hapur mbi 20 gjyqe kundër gazetarëve dhe opozitës. Mafia dhe oligarkia drejtojnë Shqipërinë. E mbi të gjitha Edi Rama prapë ia ka dale të rrijë në pushtet, falë edhe një opozite e cila herë bën protesta me 100 mijë ndjekës dhe më pas i shuan vetë duke iu thënë “Shkoni në shtëpi!”.

DW, radio kryesore gjermane shkruan se Ky vend ballkanik gjendet aktualisht në krizë, për shkak të mospajtimeve mes forcave të brendshme politike për shumë gjëra. Demokracia në Shqipëri nuk është stabilizuar tërësisht as 30 vjet pas rënies së regjimit komunist. Vet OSBE-ja ka një mision në Tiranë, për të vëzhguar gjendjen e demokracisë në këtë vend. Ky mision angazhohet për zbutjen e krizës dhe forcimin e institucioneve të vendit, në një situatë konflikti permanent mes pozitës dhe opozitës, ku disa institucione janë bllokuar me vite të tëra.
Kryeministri Edi Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. Partia Demokratike ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë atë”, pohon publicisti i njohur nga Kosova Veton Surroi.

Ky është një paradoks i madh ose është njëlloj sikur një hajduti profesionist ti thuash shko e ruaj bankën!

Dikur, sipas traditës popullore, kur mblidheshin në kuvend burrat për të zgjidhur një sherr mes dy familjeve apo mes fshatrave, kurrë nuk lejohej të caktohej një familje apo një fshat që kishte sherr në shpinë e tij.

Fjala vjen nëse lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha e vendos dhe mban premtimin se këtë vit do ta rrëzojë pushtetin kriminal të Ramës, si do të reagojë OSBE kur të plasin përplaset civile në Tiranë? Do të vijë drejtuesi i OSBE, Edi Rama për të ndëmjetsuar konfliktin mes tij dhe opozitës?! Apo vetë OSBE do nisë përfaqësues për të shuar sherret në Shqipëri kurse Edi Rama do të shkojë si kryetar i OSBE në Lindjen e Mesme për të shuar luftërat?!

Apo kryeministri Rama do zbatojë parullën në OSBE se “bëni si them unë e mos bëni si bëjë unë!”?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu