Kryeministri në detyrë në Kosovë Ramush Haradinaj sulmon kryeministrin në ikje në Shqipëri, Edi Rama.

“Kush është kryeministri Rama t’i kallëzoj Kosovës çka do bohet me Kosovën. Le të kallëzojë ai qysh i ka mbajtë zgjedhjet veç një parti, nëse qenka aq i mençur e po i ditka krejt punët e rajonit e Kosovës. Ai le të kallëzojë qysh veç një parti i mbajti zgjedhjet në Shqipëri. Shihni zgjedhjet në Kosovë, të gjitha partitë kanë marrë pjesë, askush s’e ka mohu rezultatin zgjedhor”, ka thënë sot Haradinaj.

Ndër të tjera Haradinaj tërthorazi e ka përmendur edhe skandalin e Ramës me hartën, ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë nga facebook-u i kryeministrit Edi Rama. Edhe kjo shkaktoi  revoltë në Kosovë, ndonëse ishte një lapsus nga stafi kreyministror i Edi Ramës.

Kreu i Qeverisë kosovare, gjithashtu, i ka dhënë përgjigje Ramës edhe për zhvillimet në Samitin e Berlinit.

Kryeministri i Shqipërisë në një intervistë në “Opinion” kishte thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kishte thënë Haradinajt në Berlin se nëse do ta hiqte taksën Serbisë, Kosova brenda 6 muajve do të merrte liberalizim të vizave.

Një gjë të tillë e ka rrëzuar sot Kryeministri kosovar, Haradinaj, duke thënë se deklarata të tilla nuk qëndrojnë shkruan Express.

“Nuk qëndron ajo që ka thënë ai, ato janë krejt pallavra. As Presidenti Macron as kancelarja Merkel nuk e kanë nxjerrë në tavolinë se heqim vizat, hiqe taksën”- ka shtuar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se veprimeve të Edi Ramës po ua sheh sherrin edhe Kosova.

“Nëse është kështu pse s’po ia japin negociatat z. Rama nëse qenka kaq i mençur. Dobësitë e tij po i bëjnë dëm edhe Kosovës, më beso”, ka insistuar kryeministri kosovar.

Në fund teksa ka folur për idenë e prekjes së kufijve, Haradinaj ka thënë se një ide e tillë ka qenë vdekjeprurëse, të cilën është detyruar ta luftojë.

“Hapja e bisedave për territoret ka qenë vdekjeprurëse ka qenë shkatërruese për mua për qeverinë. Jom detyru me luftu kundër asaj ideje”, ka përfunduar Haradinaj.

Ky është sulmi më i drejtëpërdrejt ndaj Edi Ramës prej kryeministrit kosovar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu