Shqipëria vazhdon të prodhojë talente në sportet e forcës.

Kristi Dhima është sportisti i radhës që po bën karrirë në Europë.

25-vjeçari është lindur dhe është rritur në Gjirokastër, atje ku nisi pasionin e tij për sportin e dyluftimit.

Dhima ushtron sportin e thaibox-it, në të cilin numëron 15 ndeshje, ku 10 prej tyre janë fitore dhe 5 humbje.

Në vitin 2019 u shpall për herë të parë kampion i Zvicrës dhe mori në brezin e tij titullin Internacional në kategorinë gjysmë-profesionist. Më tej në vitin 2022 ka fituar titullin kampion të Zvicrës në klasin A si profesionist, ndërsa më 4 mars synon të shtojë një tjetër titull në brezin e tij.

Dhima do të përballet në Zvicër me Tamim Sharifin për të vendosur se cili prej tyre do të shpallet kampion i Europës, këtë herë në disiplinën e kickbox-it. Sharifi është një sportist afgan, por jeton në Gjermani dhe është një emër i njohur në kickbox.