Partia Demokratike ka ngritur një grup ekspertësh të mjekësisë, që do të ndjekin nga afër situatën lidhur me përhapjen e koronavirusit në Shqipëri. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një konferencë shtypi sot ia dha fjalën doktoreshë Mirela Tabakut, e cila tha:

“Është e rëndësishme që të bëhet një komunikim tejet transparent për popullatën për masat aktuale të marra. Prioritet është marrja e masave urgjente për personelin shëndetësor dhe lehtësimin e punës së tyre. Duhet vepruar me shpejtësi nga ana e qeverisë.

Pajisja e mjekëve me mjetet e nevojshme, tutat, syzet, dorezat, qeset me qafa për këpucët etj marrja e masave për pajisjen adekuate me mjete mbrojtëse për ambulancat; bërja gati e çdo strukture spitalore në çdo cep të Shqipërisë; trajtim i stafeve; fuqizimi i kapaciteteve të laboratorëve kudo që janë. Mobilizim dhe vënia në dispozicion e gjithë personelit mjekësor që nuk është aktiv, që është në pension;karantinim i detyruar për personat që kanë kontakt me të infektuarit dhe vetkarantim për ata që vijnë nga zonat e infektuara.”

Deklarata e plotë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot u konfirmuan edhe zyrtarisht dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi. Duke u uruar atyre shërim sa më të shpejtë, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh.

Së pari, personelit shëndetësor, të nderuar mjekë dhe infermierë.

Shëndeti i shqiptarëve është në duart tuaja. Sytë, veshët dhe mendjet e njerëzve, si asnjëherë, janë të fokusuara te ju.

Prandaj, sot të gjithë jemi në mbështetjen tuaj për të zbatuar masat dhe vendimet që ju sugjeroni dhe vendosni.

Nuk duhet të ngurroni për asnjë çast të kërkoni çfarë ju nevojitet për të përmbushur misionin tuaj. Qeveritë ikin e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, ata që keni në dorë jetën e gjithësecilit prej nesh, jeni ju.

Ne kemi një nga stafet më të specializuara mjekësore për të përballuar çdo situatë dhe ajo që duhet t’u japim juve sot, janë mjetet dhe fondet e nevojshme mjekësore për ta përballuar këtë gjendje me sukses.

Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin tuaj. Sa më shumë të flisni ju, aq më të qetë do të jenë qytetarët.

Të dashur bashkëqytetarë!

Sot duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për çdo veprim që ndërmarrim.

Të dëgjojmë me vëmendje këshillat e mjekëve dhe t’i zbatojmë ato.

Të gjithë ju që vini nga Italia e Veriut, por edhe zona të tjera të prekura nga coronavirusi, drejtohuni për ekzaminime, nëse keni simptoma gripi dhe shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afërmit për një periudhë 2 javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi për të moshuarit.

Sot nuk është koha për panik, por për kujdes maksimal.

Sa më të kujdesshëm të jemi sot, aq më lehtë do ta kalojmë këtë situatë dhe me pasoja minimale.

Ne do të jemi në ndjekje të situatës hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdo qytetari për çdo informacion shtesë që do të kenë.

Dy javë më parë, nga kjo foltore i kam bërë thirrje qeverisë të marrë masa për t’u përgatitur për përballimin e situatës.

1. Fondet e mjaftueshme

2. Mobilizimi maksimal

3. Transparenca

Këto janë tre komponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët nuk duhet humbur kohë.

Dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës, i ngritur pranë PD, bashkë me ekspertët e opozitës, do të vazhdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithçka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë sa më afër njerëzve dhe për të tejkaluar këtë situatë me pasoja sa më të lehta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu