Të njëjtat burime sqaruan se, planifikimi i koncesionit të sterilizimit për vitin 2019 ka qenë në nivelin 1.28 mld lekë, por mbështetur në vlerën e faturuar për periudhën 10-mujore 2019 në 1.4 miliardë lekë, dhe në pritshmërinë se ky shërbim, deri në fund të vitit do të shkojë në nivelin 1.71 mld lekë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se ka rishikuar buxhetin për të financuar këtë shërbim, me qëllim moslejimin e detyrimeve të prapambetura. Planifikimi për këtë shërbim në vitin 2020 është në nivelin faktik të 2019, 1.71 mld lekë, pohuan të njëjtat burime.
Financimi shtesë për koncesionin e sterilizimit për dy vite 2018-2019, ka kaluar shumën e 6 milionë eurove, 3.5 milionë euro këtë vit dhe mbi 3 milionë euro në 2018-n.
PPP-ja e sterilizimit u firmos në fund të vitit 2015 midis kompanisë “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si përfituese e shërbimit, përfaqësuar nga ministri Ilir Beqja dhe FSDKSH, përfaqësuar nga Milva ikonomi, ku janë përcaktuar kushtet paraprake, objekti i kontratës, çmimet dhe rishikimi i çmimeve.
Kontrata nisi të zbatohet më 2016. Monitorimi i saj bëhet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET) në QSUT, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga auditimi i këtij shërbimi u konstatua se, nuk ka një përcaktim detajuar për përdorimin e kompleksiteteve për çdo lloj operacioni, numrin e pajisjeve të kompleksiteteve për çdo ndërhyrje dhe nuk ka një përcaktim të qartë të përdorimit të seteve të sterilizimit me avull në shërbimet spitalore universitare dhe në spitalet rajonale.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka verifikuar se në total, shërbimi i likuiduar ndaj PPP së sterilizimit për vitin 2018, është 1,487 milionë lekë, në krahasim me 987 milionë lekë në vitin 2017, pra janë likuiduar 500 milionë lekë, ose 50.6% më shumë se një vit më parë. Ndërsa po ta krahasojmë shërbimin e kryer prej 2,087 milionë lekësh, ka ngelur pa likuiduar vlera prej 609 milionë lekësh, rezulton është shërbimi i kryer dhe i palikuiduar.
Sipas pikës 4.7 të kontratës së financimit, përcaktohet “për vonesa në likuidim, interesat që do të llogariten e maturohen duke mbajtur parasysh normat e interesit të instrumentit kryesor të rifinancimit të Bankës Qendrore Europiane, i aplikuar në operacionin e fundit, i maturuar me 7%”, do të rezultojë që me ritmet e likuidimit të këtij shërbimi të rëndojnë buxhetin e shtetit edhe kamatëvonesat. Auditimi tregon se kontrata e financimit të këtij shërbimi, është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin.