Komisioni i Ligjeve do të mblidhet sot në orën 11:00 për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Komisioni ka thirrur presidentin Meta për të dhënë shpjegimet e tij në lidhje më kërkesën e deputetëve për shkarkimin e tij.

Por presidenca ka reaguar duke deklaruar se Ilir Meta ka axhendë të planifikuar. Në letrën drejtuar Komisionit të Ligjeve, presidenti shprehet se ka axhendë të planifikuar dhe se është gati të vijë para komisionit më 10 maj në Ditën Kombëtare të Drejtësisë.

Prej fillimit të majit PS ka nisur procesin për shkarkimin e tij. Ata e akuzojnë Metën për shkelje të Kushtetutës, kapërcim të detyrave kushtetuese tëtij, ndërhyrje në zgjedhje.

NJOFTIMI I PLOTE

Presidenti i Republikës, u njoh me komunikimin e përcjellë në rrugë elektronike nga adresa “Komisioni.Ligje@parlament.al”, në adresën elektronike “sekretaria.president@President.al”, në datën 5 maj 2021, ora 14:06, me lëndë: “Njoftim për pjesmarrje në seancë dëgjimore, ditën e enjte, datë 6.05.2021, ora 11:00”.
Sipas këtij njoftimi, bëhet me dije se:
“Në përgjigje të shkresës së përcjellë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me nr. 1520/2 Prot., datë 5.5.2021, dhe në zbatim të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e datës 5.5.2021 vendosi që të zhvillojë një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ditën e enjte, datë 6.5.2021, ora 11:00.
Seanca dëgjimore do të zhvillohet online nëpërmjet platformës elektronike CISCO/WEBEX.
Kërkohet konfirmimi paraprak i personit përgjegjës, shoqëruar me adresën elektronike, për të mundësuar lidhjen online nga stafi përgjegjës i Kuvendit.”

I njëjti njoftim është administruar më pas edhe shkresërisht, kur përmes shkresës Nr.1081/6 prot.,  datë 5.5.2021, të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, është përcjellë shkresa me nr. prot. 1081/6, datë 5.05.2021, e Kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me lëndë “Njoftim për pjesëmarrje në seancë dëgjimore”, e që njësoj si komunikimi elektronik i sipërcituar, bën me dije se, “[…] në zbatim të nenit 112, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e datës 5.5.2021, vendosi që të zhvillojë një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës ditën e enjte, datë 6.5.2021, ora 11:00”.
Ndryshe nga dy komunikimet tuaja të datës 4.05.2021, në të cilat nuk jepej asnjë sqarim mbi arsyet se pse dërgoheshin ato komunikime, apo çfarë kërkohej prej Presidentit të Republikës, dhe për të cilat ju përcoll shkresa jonë me nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, në këtë komunikim të ditës pasuese, të paktën është sqaruar se ju kërkoni të zhvilloni me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, një seancë dëgjimore. Këtë kërkesë e keni mbështetur në nenin 112, pika 2, të Rregullores së Kuvendit.
Nga konsultimi i përmbajtjes së kësaj pike të Rregullores, që keni përdorur si referencë mbështetëse për të kushtëzuar agjendën e Kreut të Shtetit, në varësi të agjendës së Komisionit të Ligjeve, kur duhet të ishte e kundërta, citohet shprehimisht se:
“2. Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast  se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.”
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Procese apo nisma të kësaj natyre, megjithëse janë iniciuar përmes urdhrave politikë që synojnë  të shmangin vëmendjen nga parregullsitë që partia në pushtet ka shkaktuar në këtë proces zgjedhor, ju si Komisioni i Ligjeve, keni detyrimin që të qëndroni në lartësinë e detyrës që mbani, e që të kujdeseni që asnjë garanci dhe kërkesë e Kushtetutës dhe e ligjit të mos shkelet, por të respektohet.
Ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive.
Pikërisht rëndësia e kësaj çështjeje, duke ditur synimin siç më sipër cituam, kërkon reflektim dhe vlerësim të thelluar së pari nga ju, si dhe kohë të mjaftueshme për të gjithë. Harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si “kohë e mjaftueshme”.

Rregullorja e Kuvendit ju njeh të drejtën për të kryer një vlerësim dhe të hartoni një raport brenda një harku kohor prej (15) pesëmbedhjetë ditësh, afat i cili përfundon në datën 15 Maj 2021.
Edhe për këtë arsye nuk keni pse të nxitoheni për ta realizuar këtë proces brenda një dite, duke shkelur jo vetëm çdo normë në fuqi, por edhe duke “vendosur”, siç citoni në njoftimin tuaj, kur në fakt sipas neni 112, pika 2, të Rregullores, jeni “të detyruar”.
Presidenti i Republikës, siç ju është bërë me dije edhe në shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, edhe para se ju të shprehnit kërkesën në mënyrë eksplicite, ka shprehur gadishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve.
Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021.
Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!
Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit.
Në funksion të transparencës, dhe nëse dëshironi  ta ndiqni, pasi do të bëhet publike, Presidenti i Republikës, pikërisht sot ditë e enjte, datë 6 maj 2021, do të presë në takime, për bisedime e takime zyrtare, protokollare, personalitete të larta të huaja, si:
– Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler;
dhe
– Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor.
Pikërisht nisur nga axhenda zyrtare dhe e ngjeshur e Presidentit të Republikës, si dhe duke marrë në konsideratë volumin e informacionit që mund dhe duhet diskutuar me Komisionin e Ligjeve, çështje këto që përfshijnë pyetjet, rastet, verifikimet dhe të dhënat, të cilat i kemi evidentuar në shkresën tonë nr. 1520/2 prot., datë 5.5.2021, dhe për të cilat kemi pritur reflektimin tuaj, kemi shprehur gadishmërinë e Presidentit për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me Komisionin e Ligjeve, qoftë dhe virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-WEBEX, në datën 10 maj 2021.
Ndërsa zhvillimi i këtyre takimeve zyrtare protokollare shtetërore paraqitet me shumë rëndësi për Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, pasi lidhet me marrëdhëniet dy palëshe të Republikës së Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian, akoma me më shumë rëndësi për anëtarët deputetë të Komisionit të Ligjeve, do të ishte që pavarësisht porosive misionare partiake të ngarkuara, të respektohej për çdo lloj nisme të ndërmarrë, procedura kushtetuese dhe ligjore.
Dhe kjo procedurë, që referohet edhe në dispozitën e Rregullores që vetë keni cituar në njoftimin e përcjellë, kërkon kohë të mjaftueshme. Ndërsa Presidenti i Republikës vlerëson se, nuk ka arsye të bëjë mbrojtje, për çështje që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mungesën e legjitimitetit të Kuvendit në këtë nismë, nga ana tjetër, lidhur me pretendimet partiake të ngritura, në funksion të transaprencës me qytetarët e Shqipërisë, Presidenti i Republikës vlerëson se mund të japë informacione tepër interesante pikërisht mbi fenomenet e shfaqura në mënyrë të shëmtuar përgjatë këtij procesi zgjedhor.
Po në kuadër të trajtimit dhe hedhjes dritë mbi këto fenomene, nga shqyrtimi i shkresës suaj nr. prot. 1081/6, datë 5.05.2021, rezulton se, pyetjet e Kreut të Shtetit të përcjella me shkresën tonë  nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, mbeten ende pa përgjigje.
Në përfundim,
– duke qënë se mbartni detyrimin të zhvilloni seancën e diskutimit me Presidentin e Republikës që ka shumë për të thënë, mbi krimin zgjedhor në veçanti;
– duke qënë se, kjo çështje, faktet e grumbulluara mbi të, kërkojnë kohë përpunimi me qëllim sintetizimin e tyre sa më qartë për ju dhe publikun;
– duke qënë se pyetjet e bëra përmes shkresës tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, mbeten ende pa përgjigje, por kërkojnë kohë të shqyrtohen dhe vlerësohen nga gjithësecili prej jush, para diskutimit “ballë për ballë”, qoftë në rrugë virtuale;
vazhdojmë t`ju bëjmë me dije se Presidenti i Republikës do të vlerësonte të diskutonte me kënaqësi me ju dhe të dëgjohej jo vetëm nga ju, por nga të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, unitetin e të cilëve ai përfaqëson, ditën e hënë, datë 10.05.2021, në orarin më të përshtashëm për ju, brenda orarit zyrtar.
Deri ditën e hënë, datë 10.05.2021, në orarin që do të caktoni, gjeni edhe një herë bashkëlidhur shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, për të hulumtuar mbi përgjigjet e pyetjeve që ju janë drejtuar posaçërisht, si dhe për të reflektuar mbi situatën, si dhe pozitën krejtësisht antikushtetuese, jo legjitime dhe të paligjshme, në të cilën ndodheni.
Shprehim bindjen se, përsa kemi parashtruar në shkresën tonë nr. 1520/2 prot, datë 5.5.2021, por dhe në këtë komunikim shkresor, po krijojmë një mundësi shumë të mirë për Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për të marrë kohën e nevojshme, e për të mos vijuar me shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe normave të tjera juridike, por të reflektojë, të tërhiqet nga nisma të tilla fiktive dhe të porositura, me mungesë të theksuar të legjitimitetit, dhe që bien ndesh me të gjitha parimet themelore të mbrojtura nga Kushtetuta, që janë në themel të funksionimit të shtetit të së drejtës.
Pasi të caktoni orarin e mbledhjes për në datën 10 maj 2021, dhe të na e komunikoni në rrugën e përdorur tashmë elektronike dhe shkresore, do ju përcjellim edhe emrin e personit të kontaktit që do të koordinojë me stafin tuaj për të ndjekur anën infrastrukturore të zhvillimit të takimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu