Me gjithë respektin e ndjeshmërinë e skajshme për situatën, teksa na dridhen duar e buzë si njerëz e mandej si gazetarë, nuk e shmang dot një vrojtim mbi një përpjekje që po shtohet me kalimin e orëve.
Gazetarë të mediave prestigjioze ndërkombëtare po kontaktojnë në shumicë kolegë dhe specialistë në Shqipëri lidhur me spekulimet dhe krimin me ndërtimet në Durrës e Tiranë. Pas pyetjes së parë mbi gjendjen e të mbijetuarve, kjo është kërkesa e tyre urgjente. Tashmë po zhvendosen në kryeqytetin shqiptar e në zonat e prekura nga tragjedia, kanë nisur hetimet e tyre dhe kanë mjaftueshëm informacion mbi abuzimin e jashtëzakonshëm me ndërtimin në Shqipëri.
E bëj këtë vrojtim publik, sepse ndihet presion shumë i madh mbi median shqiptare, nga ajo tradicionale e tek portalet për të shmangur çdo lloj analize e komenti profesional mbi këtë temë. Me një gjuhë të egër e terma ndëshkues kërkohet të vendoset prioritet vetëm ndihma e solidariteti, gjë të cilën çdo shqiptar, çdo njeri me zemër e mend, çdo media e ka patur atù absolute.
Kjo është e domosdoshme në kohën kur zëri zyrtar ka vetëm një timbër, të folurën në vetën e parë dhe protagonizëm absolut. Tjetër po shohim nga kolegët e prestigjiozeve ndërkombëtare të zbarkuar në Shqipëri me seriozitetin e situatave të provuara.
Ndaj sot më shumë se kurrë na duhet komunikimi i profesionistëve të thirrur ‘nën armë’ nga autoritetet për të përballuar një traumë si kjo. Askush nuk mund të marrë tagrin e komunikimit zyrtar në vetën e parë për gjithçka.
Nuk ka nevojë për monologë të tejzgjatur, që kanë monopolizuar komunikimin publik. Kini mëshirë e merrni praktikat botërore edhe në komunikimin publik, se nuk është koha. Tërmeti nuk përzgjedh në varësi të statusit.
Jemi secili i pafuqishëm, por të gjithë bashkë të mundur t’ia dalim.