Këshilli i Europës i jep goditjen finale procesit të 30 qershorit. Pasi refuzuan fillimisht të marrin pjesë si vëzhgues, një delegacion i lartë i Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale i Këshillit të Europës e rrëzoi procesin pas një vizite në Tiranë.

Në një deklaratë me gjuhë direkte, ata thanë se ’30 qershori’ nuk garantoi zgjedhje demokratike dhe nuk i shërbeu pluralizimit në vend. “Nuk ka demokraci funksionale në një shtet pa demokracinë në nivel lokal,” u tregua i ashpër presidenti i Kongresit, suedezi Anders Knape.

Ata i kërkuan qeverisë dhe opozitës që të mos qëndrojnë indiferente ndaj kësaj situate.

Por në faqen e Kongresit thuhet edhe diçka tjetër. Në pranverë ata pritet të zbarkojnë sërish me një mision të nivelit të lartë. Delegacioni do të vlerësojë reformën administrativo-territoriale, të miratuar nga mazhoranca në vitin 2015. Në dritën e gjetjeve të tyre do të diskutohet më tej për situatën demokratike në Shqipëri.

Ky zhvillim interesant vjen në kohën kur mazhoranca dhe opozita janë ulur për të diskutuar reformën zgjedhore. Opozita kërkon që të rishikohet edhe reforma territoriale. Nëse ndodh kjo, atëherë rishikimi i kufijve të njësive vendore do e çojë vendin automatikisht drejt zgjedhjeve të reja lokale.

Ndërkohë një variant tjetër, i nxitur nga Bundestagu gjerman, do të jetë shqyrtimi i ligjshmërisë së votimeve të 30 qershorit nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit ka pranuar një padi, e cila mund të rrëzojë procesin.

Nuk dihet nëse ndonjë nga këto variante do marrë jetë, por ajo që dihet është se të huajt po e konsiderojnë ‘nul’ votimin e 30 qershorit, duke i kërkuar kështu indirekt qeverisë dhe politikës të gjejë një zgjidhje për situatën e rëndë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu