Këshilli i Europës ka dalë me një deklaratë të fortë, ku i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të parandalojnë dhunën policore dhe të mbështesin të drejtën dhe lirinë e tubimeve paqësore.

“Autoritetet shqiptare duhet të parandalojnë dhunën e mëtejshme policore dhe të mbështesin të drejtën për lirinë e tubimit paqësor,” thuhet në deklaratë.

“Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë përmbajtje në demonstrata dhe të sigurojnë hetime të hollësishme, të pavarura dhe efektive për të gjitha pretendimet e përdorimit të tepruar të forcës,” tha Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç.

Ajo shprehu shqetësim për përshkallëzimin e përplasjeve mes policisë dhe protestuesve pas vrasjes fatale të një të riu nga policia gjatë izolimit të vendit javën e shkuar.

“Përdorimi joproporcional i forcës është raportuar gjithashtu n lidhje me të tjera protesta të organizuara në Shqipëri në fillim të këtij viti,” tha ajo.

“Reagimi ndaj pandemisë Covid-19 nuk u jep autoriteteve ‘kartë të bardhë’ për të përdorur forcë në protesta,” tha Komisionerja.

Në këtë kontekst, ajo nënvizon përdorimin e topave të ujit, sprajit me piper dhe mjeteve të tjera të forcës, që kanë çuar në plagosjen e disa protestuesve dhe ndalime në shkallë të gjerë, përfshirë fëmijë.

“Ndërsa e drejta për mbledhje paqësore mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të mbështesin parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat. Prandaj, ndalimet në parim të grumbullimeve publike dhe shpërndarja e demonstratave për të vetmen arsye se ato shkelin rregullat e masave kufizuese, pa marrë në konsideratë përdorimin e mjeteve te tjera, duhet të shmangen. Policia duhet gjithashtu të bëjë dallimin midis individëve të përfshirë në dhunë dhe atyre që demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të përmbahen nga përdorimi i rëndë ose pa kriter i forcës. Për më tepër, çdo ndalim i fëmijëve duhet të kryhet vetëm si një masë e fundit dhe duhet të respektojë plotësisht të drejtat e tyre procedurale, duke përfshirë të drejtën për t’u pyetur vetëm në prani të një avokati ose njërit prej prindërve ose kujdestarëve të tyre”.

Komisionerja rithekson që menaxhimi i demonstratave duhet të bazohet në komunikim dhe bashkëpunim me organizatorët dhe pjesëmarrësit në demonstrata dhe duhet të synojë në de-përshkallëzimin e tensioneve. “Është thelbësore të sigurohet që oficerët e policisë që veprojnë në kontekstin e demonstratave të marrin trajnim të specializuar në menaxhimin e grumbullimeve  dhe përdorimin proporcional të forcës”.

Autoritetet duhet që në çdo kohë të demonstrojnë tolerancë zero ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit të përfshirë në përdorimin e tepruar të forcës, të cilët duhet të identifikohen, të sillen para drejtësisë dhe të sanksionohen në përputhje me praktikën gjyqësore përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Udhëzimet për Çrrënjosjen e Mosndëshkimi për shkeljet serioze të të drejtave të njeriut miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në 2011. Veshja e etiketave të dukshme të identifikimit ndihmon në sigurimin e përgjegjësisë. Për më tepër, personat që pretendojnë të jenë viktima të sjelljes së keqe të policisë duhet të jenë në gjendje të paraqesin një ankesë për të marrë dëmshpërblim.

Duke vënë në dukje se shumica e personave të ndaluar janë liruar, Komisioneri u bën thirrje autoriteteve të shpejtojnë lirimin e çdo protestuesi paqësor të mbetur që mund të jetë akoma në paraburgim.

Së fundmi, Komisioneri është i shqetësuar për ndalimin dhe sulmet e pretenduara ndaj disa gazetarëve që mbulojnë demonstratat. “Sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës për tu informuar. Autoritetet duhet të sigurojnë që gazetarët mund të vazhdojnë të informojnë qytetarët pa frikë nga kërcënimet ose aktet e dhunës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu