Nga Poli Hoxha

Edi Rama kishte ngarkuar Endri Fugën, me gjithë stafin e tij gjigant të propagandës dhe teknologjisë, që të përgatisnin një video-klip, kushtuar 29-vjetorit të Partisë Socialiste.

Çfarë nuk shikoje aty; Dritëro Agollin, Fatos Nanon e gjithë sakrificat e socialistëve të thjeshtë, në kohët kur Edi Rama jo vetëm që nuk ishte aty brenda, por edhe e quante atë parti, ‘një e keqe, që duhet shkulur me rrënjë’.

E në fakt pasi e bleu a e mori në mënyrë të dyshimtë, ai e shkuli dhe e tjetërsoi PS-në e Dritëro Agollit, Fatos Nanos, Servet Pëllumbit, Limos Dizdari, Pandeli Majkos, Arta Dades, etj, duke shpikur ‘Rilindjen’.

Por tashmë jemi futur de facto në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2021 dhe na duhet `brandi PS`, me gjithë socialistët e majtistët e thjeshtë.

Këtë ka bërë Edi Rama, që kur ka ardhur në pushtet. Kur është i rehatuar, punon si ‘Rilindje’ dhe zhduk PS-në. Kur i duhen vota për të rikonfirmuar pushtetin, thërret PS-në dhe nxjerr flamujt e saj të mykur nga bodrumet e selisë.

Po të shohësh rrjetin së fundmi, ‘Rilindja’ dhe rilindasit si me magji janë shndërruar në PS e socialistë `të vërtetë`. E kështu do të vazhdojë, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Për të kuptuar lojën e dalë boje, por që guxojnë ta hapin sërish, le të hedhim një sy te profili në FB i Ditmir Bushatit; Një `rilindas` tipik kur ka postin që do dhe një `socialist parimor`, kur synon rikthim në postin që i ka mbetur brengë!

Me rastin e ditëlindjes së Partisë Socialiste ai ka bërë një shënim të gjatë, ku pasi i ka futur një lyerje-lëpirje plot ngjyra majtiste-moraliste, kërkon edhe ‘ndryshim’ të partisë. Në fakt kërkon atë që bën Edi Rama sa herë ndihet në hall dhe i duhen vota: Ujkun me emrin Rilindje, ta veshin me lëkurën e deles PS!

Bushati flet për PS-në si një parti e madhe, `që mendon për më të vegjlit, të pafuqishmit, të dobëtit, sipërmarrësit, të rinjtë, pensionistët, arsimtarët, mjekët, infermierët, artistët, sportistët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët, fermerët, punëtorët e krahut dhe nëpunësit civilë; Si partia që i fiton betejat me krimin e organizuar dhe korrupsionin, por që kujdeset, edhe për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut’.

Kur shkruan kështu për PS-në Bushati, bën sikur harron se u bënë 8 vite që Edi Rama, atë forcë politike e ka zëvendësuar me ‘Rilindjen’, e cila e ka vërtetuar me vepra, se nuk mendon dhe punon për ‘të pafuqishmit dhe të dobëtit’, por për oligarkët dhe krimin e organizuar.

Ish-ministri i Jashtëm, i cili herë pas here shfaqet si `zë ndryshe` brenda PS-së, gjithashtu harron që të tregojë, se emri i vërtetë i partisë me gjithë simbolet origjinale të saj, rikthehen prej Edi Ramës vetëm përpara fushatave elektorale, duke i trajtuar socialistët e thjeshtë që janë po aq e më shumë të varfër se 8 vite më parë; si budallenj.

Bushati njësoj si Rama dhe gjithë enturazhi i tij nuk e zënë më fare në gojë ‘Rilindjen’, që mbushi parlamentin, bashkitë dhe administratën me kriminelë, deri ordinerë. Mes rreshtave ai tenton që të bëjë ‘parimorin’ dhe të ngrejë peshë zemrat, e socialistëve të thjeshtë.

‘Sfida jonë është si të ndërtojmë një kapitalizëm progresiv që shkon përtej një grushti përfituesish që vërtiten rreth e përqark buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore, duke siguruar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës’, shkruan ai.

E thotë këtë Bushati, por nuk iu vë emra atyre që janë ‘një grusht përfituesish përqark buxhetit’ dhe mbi të gjitha nuk guxon që të drejtojë gishtin mbi kumbarin e tyre. Vetë, Edi Ramën, i cili i ka dhënë këtë `karta-bianka`, mbi pasuritë e vendit kësaj pakice.

Gjëja më qesharake në retorikën e Ditmir Bushatit dhe që bie në sy jo vetëm në këtë tekst, është se ai synon që të krijojë idenë se është njësh me `socialistët e vërtetë ‘, por nga ana tjetër nuk guxon që t’u thotë të vërtetën; Nuk ka më PS, por një klan në pushtet që është vetëquajtur `Rilindje`, i cili punon dhe grabit financat dhe pasuritë e vendit në shërbim të një grushti njerëzish, oligarkë e mafioz të maskuar si biznesmenë të mëdhenj.

Vini re, Bushati bën këto pyetje në shkrimin e tij:

‘Çfarë dhe kë përfaqësojmë ne?;  Duke qenë se përfaqësimi në politikë është po aq jetësor sa ç’është pulsi për njeriun, sa është socialisti i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes?; Si ta bëjmë të dëgjueshëm zërin e qytetarëve të zakonshëm në vendimmarrjen tonë në mënyrë që askush të mos ndjehet i harruar?; Nga buron e drejta jonë për të marrë vendime që impaktojnë gjeneratat, për 20 apo 30 vitet e ardhshme?’

Bukur, por përse nuk u ngrit në kongresin e fundit të Partisë Socialiste dhe t’i bënte këto pyetje, apo ishte i zënë duke dëgjuar `socialistët` Linda Rama, Besa Shahini, Elva Margariti, Gent Cakaj, Sandër Lleshaj, etj?!

I bën këto pyetje, por nuk guxon që të japë edhe përgjigjet: PS-ja, ndjesë pastë, sot përfaqëson të vetmen mafie në botë, që ka qeverinë e saj!

Socialisti i thjeshtë është sot i përfaqësuar në hallkat e qeverisjes dhe vendimmarrjes, po aq sa çdo popull opozitar dhe çdo shqiptarë tjetër, që nuk ka miq e farefis në lozhat e `Rilindjes`.

Socialisti i thjeshtë që po thirret në betejën `finale` për të marrë edhe 8 vite pushtet Edi Rama, `Rilindja` dhe rilindasit e tij, janë edhe më të varfër e të dëshpëruar, se atëherë kur kontribuuan me zemër, për 1 milion shuplakat.

Ata i njohin sot bashkëluftëtarët me të cilët kanë qenë dikur së bashku në opozitë. I shohin se si janë shndërruar në milionerë, pasi u transformuan në `rilindas`, drejtorë, deputetë, e ministra. Sa shtëpi e biznese kanë, ku ju punojnë gratë e farefisi, në çfarë shkollash i studiojnë fëmijët, e si për pak ‘i shtypin’ në rrugë me makinat e tyre luksoze.

Ata e dinë që Edi Rama ju do votën, por pushtetin dhe pasuritë që burojnë prej tij i ndan me të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me PS-në e vërtetë, ndjesë pastë.

Ky avaz është, sa herë që afrohen zgjedhjet. Një ditë pasi i kanë fituar, as shefi më i rëndomtë në rrethe nuk i qas te pragu i derës së zyrës. Nuk i pyesin as për punësimet, as për drejtorët, as për kryetarët e bashkive, as, as… se për deputetët dihet.

Sot më shumë nga frika se çfarë do të ndodhë me pasuritë e grumbulluara, nxjerrin nga bodrumet flamujt e PS-së; i fusin ca video me Dritëro Agollin e Fatos Nanon me pranga në duar; rikthejnë `gogolin PD në pushtet` e premtojnë për 8 vitet e ardhshme qiqra në hell, sikur sapo kanë zbritur nga ndonjë anije aliene…

Vërtet, kaq budallenj i dinë socialistët e thjeshtë!?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu