Elina Xhengo, kampione e Europës në hedhje shtize, vajza 19-vjeçare e lindur nga prindër shqiptarë, nuk e ka shijuar tërësisht sukesesin e europianit të Mynihut.

Edhe pse ajo përfaqësoi Greqinë dhe madje valëviti flamurin e vendit fqinjë në europian, ku vendosi edhe rekord kontinental si vajza më e re që arrin të fitojë një titull në këtë disiplinë, mesazhet fyese me bazë raciste për shkak të origjinës së saj nuk kanë munguar.

“Kam marrë mesazhe negative sepse jam me origjinë nga Shqipëria”, thekson Elina në një intervistë për televizionin kombëtar ANT1.

“Telefonatën e parë ua bëra prindërve të mi sepse ata kanë besuar shumë dhe e prisnin këtë sukses. Ata e ndiejnë stresin e garimeve të mija dhe kërkojnë që ta largojnë nga unë”, shton Elina.

Në vijim ajo nënvizon se vetëm gjatë muajve të fundit është pajisur me pasaportë greke dhe nuk e dinte nëse do të merrte pjesë në europian por pavarësisht këtij fakti nuk e ka ndakur stërvitjen. E pyetur nga gazetarët në lidhje me racizmin, ajo thekson:

“Në fshatin ku jetojmë nuk e kam ndier sepse njerëzit na trajtojnë shumë mirë. Jam socializuar mjaft mirë me të gjithë banorët atje. Pas garës kam marrë shumë mesazhe negative për shkak të origjinës. Prindërit kanë qenë shumë të zemëruar me faktin që nuk kisha mundësi të konkurroja në nivele ndërkombëtare për shkak të mungesës së pasaportës”.