Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur dy raste të trafikut të drogës në dalje të kufirit të Shqipërisë.

Katër shtetas të huaj janë arrestuar për këto dy raste.

Në rastin e parë u arrestuan S.H. 25 vjeç banues në Zvicër, I.D. 23 vjeç dhe R.A. 23 vjeç, këta dy të fundit banues në Izrael. Në automjetin e tyre, policia gjeti kanabis çokollatë dhe 2 peshore elektronike.

Ndërsa në rastin e dytë u arrestua një 24-vjeçar me iniciale D.P. banues në Kroaci, pasi në makinë iu gjet një sasi kanabisi.

Njoftimi i Policisë:

PKK Kakavije/Kontrolle intensive për të garantuar qarkullimin e ligjshëm të shtetasve dhe mallrave, në hyrje/dalje, si dhe për të goditur paligjshmëritë.

Nga kontrollet, konstatohen dhe goditen 2 raste të tjera të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, drejt vendeve të BE-së.

Për të dyja rastet, vihen në pranga 4 shtetas të huaj, si dhe sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa (në sasi dhe në formë çokollate), 2 peshore elektronike, 2 automjetet me të cilat lëviznin të arrestuarit dhe 4 celularë.

Krahas angazhimit maksimal, 24/7, për të ofruar shërbim të shpejtë, cilësor dhe me etikë, përgjatë të gjithë sezonit turistik 2023, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kakavije, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë vijuar kontrollet me përzgjedhje dhe ato të bazuara në informacionet e inteligjencës policore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Nga kontrollet, në dalje të vendit, u goditën 2 raste të tjera të tentativës për të trafikuar cannabis sativa, raste për të cilat specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit:

-S. H., 25 vjeç, banues në Zvicër, I. D., 23 vjeç, banues në Izrael dhe R. A., 23 vjeç, banues në Izrael, pasi gjatë kontrolleve në vijë të dytë, fizike dhe në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, u gjet lëndë narkotike cannabis sativa, në formë çokollate dhe 2 peshore elektronike;

-D. P., 24 vjeç, banues në Kroaci, pasi gjatë kontrolleve në vijë të dytë, fizike dhe në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Lënda narkotike e të dyja rasteve, 2 peshoret elektronike, 2 automjetet dhe celularët e të arrestuarve u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.