Pasi ka vënë për ditë me radhë një grusht propagandistësh të tij, të cilët kanë akuzuar si të paguar nga opozita e këtueshme kosovarët që e kanë kritikuar qëndrimin e Ramës për mini Shengenin, kryeministri ka vendosur më në fund të përgjigjet vetë. Ai ka dashur të replikojë me ata që e kanë quajtur “Esad Pashë”, “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, “qen i keq” ose “djall”, duke u bërë një pyetje të thjeshtë: Çfarë do i leverdiste më shumë Vuçiçit, që Kosova të merrte apo të mos merrte pjesë në tryezë.

“Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?
Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare”, ka shkruar ai në një koment të gjatë në Facebbok!

Por pika ku Rama manipulon rëndshëm, nuk është në debatin racional: a duhet të ulej Kosova apo jo në tryezë, një diskutim për të cilin të gjithë mund të kenë mendime të ndryshme. Sepse reagimet në Kosovë, kritikat sharjet dhe akuzat nuk nisën thjesht se kryeministri i Shqipërisë mbajti qëndrimin se Kosova do të qe më mirë të bëhej pjesë. Ato nisën sepse ai u turr me një fjalor prej halabaku kundër Prishtinës dhe liderëve të saj dhe se e bëri këtë në sy të Vuçiçit.

Fjala vjen edhe Bosnja nuk e pa të arsyeshme të merrte pjesë në atë mbledhje, por Rama nuk i lejoi vetes të thoshte asnjë fjalë fyese kundër Sarajevës dhe liderëve të saj. Ndërsa për Kosovën, sikur mos mjaftonte që tha se po shkonte në rrugë qorre, se e bënte për interesa populiste të politikës së ditës, u mor edhe veç e veç me fyerje për Ramushin, Hashimin e Albinin (shkrimi poshtë).

Pra e vërteta është se reagimi anti Ramë dhe akuzat e rënda ndaj tij, erdhën vetëm pasi ai u soll si një padron që mund të udhëzonte, tallej, dhe përçmonte udhëheqësit kosovarë, nën vështrimin e armikut të tyre më të madh. Presidentit serb. Prandaj dhe justifikimi i mëposhtëm, gjoja racional i kryeministrit shqipëtar, sot nuk ka asnjë vlerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu