Këtë javë të re, e cila fillon nga nesër, vendet e Bashkimit Europian pritet të marrin vendim nëse Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’i hapen negociatat. Në datat 17-18 tetor  Këshilli i Europës do të jap një përgjigje finale për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në të vertetë Maqedonia e Veriut është gati, por Shqipëria po pengon jo vetëm veten, por edhe Shkupin.

Janë disa skenarë që qarkullojnë mes vendeve të BE dhe ende asgjë nuk është e sigurt. Skenari më “pozitiv” për Shqipërinë është propozimi i Gjermanisë. Me nismën direkte të Angela Merkel është propozuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat pas plotësimit të 9 kushteve. Nëse ndodhë kjo, Shqipëria merr një “po” në parim këtë javë, por bisedimet zyrtare nisin më vonë, pasi të jenë parë se si do ti realizojë Tirana zyrtare kushtet. Edhe pse është një variant jo shumë optimist, sërish mbetet që të shikohet nëse Shqipëria do jetë gati edhe për të paktën dy vite. Por me sa shikohet kryeministri Rama nuk po shkon drejt realizimit të 9 kushteve gjermane, por duke i shtuar vetes dhe vendit kushte të tjera.

Skenari tjetër, që po mbizotëron në BE është propozimi i Francës. Qeveria e franceze ka kërkuar bllokimin e negociatave si për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke paraqitur një projekt të ri për rishikimin e strategjisë së zgjerimit të BE-së me vendet e tjera. Pas projektit për strategjinë e re fshihen edhe notat kritike të Parisit për Shqipërinë që nuk ka plotësuar asnjë kusht dhe ka probleme serioze me krimin dhe korrupsionin. Kërkesa e Francës penalizon të dy shtetet e Ballkanit. Por nëse varianti i Francës duket më i keq atëhere është dhe një tjetër që do jetë më denigrues për Shqipërinë.

Varianti i tretë parashikon që Maqedonisë së Veriut t’i hapen negociatat, ndërsa Shqipërisë jo. Ky do të ishte skenari më i keq për vendin tonë duke u penalizuar për mosrealizimin e reformave, ndërsa Maqedonia do të shpërblehej për sakrificën që bëri duke ndryshuar emrin në marrëveshjen me Greqinë.

Gjatë kësaj jave të re në mediat europiane flitet dhe për variante të tjera që synojnë një kompromis mes qëndrimit të Gjermanisë dhe Francës, të cilat mund të sjellin një lajm të mirë për Shqipërinë. Kjo gjë nëse ndodh bëhet për hir të frikës së penetrimit të Rusisë në Rajonin e Ballkanit.

Ankthi i vendimit të kësaj jave duket se e ka kapur që tani qeverinë “Rama”. Prej disa ditësh kryeministri dhe ministrat kanë nisur një fushatë në shtypin europian ku fajtorë për mos hapjen e negociatave cilësojnë vendet e Bashkimit Europian. Deklaratat e Edi Ramës në Serbi dhe intervista dje në median irlandeze, ku fajësohej dhe kërcënohej Europa, janë sjellje që ngjasojnë kujtojnë vetëm citatet e Enver Hoxhës për “rrezikun e imperializmit”. Logjika e kryeministrit dhe ministrave se “ne i kemi bërë detyrat, por BE-ja ka probleme brenda vetes” dhe ndaj s’na pranon është fyerje për vetë shqiptarët. 9 kushtet e Gjermanisë rrëzojnë çdo deklaratë që bëhet nga qeveria për suksesin e reformave. Qeveria “Rama” kritikohet jo vetëm për krimin, korrupsionin, drogën, krizë politike, por edhe për votimet moniste të 30 qershorit, të cilat Edi Rama i quan të suksesshme. E vetmja pikë, disi pozitive, që BE detyrohet ta përmend shpesh, pasi nuk ka të tjera është reforma në drejtësi. Por reforma ka arritur në fazën që ka futur në kolaps gjithë shtetin e ka shkatërruar institucionet, ndaj dhe BE e përdor për statistikë, por nuk e rendit si sukses. Në argumentet që paraqet mazhoranca harrohet se ky është viti i katërt kur qeveria “Rama” kërkon negociatat pa asnjë bilanc. Nga viti në vit, me tre kushtet që kishte dikur qeveria “Berisha”, sot kushtet janë trefishuar dhe për herë të parë diskutohet shtyrja pa afat e hapjes së negociatave.

Realisht Shqipërisë duhet t’i hapen negociata. Mes qindra mëkateve të qeverisë “Rama” dhe problemeve që ka sot vendit, bllokimi i negociatave apo ndarja nga Maqedonia do të ishte zhvillimi më negativ për gjithë shqiptarët. Një shkëputje e tillë e Shqipërisë nga procesi i vendeve të tjera në Ballkan do të fuste integrimin në afate të panjohura dhe të rrezikshme. Një “jo” për negociatat është skenari më i keq për vendin që nisi i pari procesin e integrimit dhe sot ndodhet në fund të gjithë Ballkanit.

Por edhe nëse BE vendos JO, nuk ka arsye të shajmë Francën, Holandën apo Danimarkën, sepse ata nuk refuzuan shqiptarët, por i thanë “jo” qeverisë “Rama”.

Ndaj java e re do të vendosë fatin final politik të kryeministrit Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu