Shumë shqiptarë janë angazhuar për të ndihmuar pas tragjedisë së rëndë të 26 nëntorit. Përveç punës vullnetare dhe ofrimit të shërbimeve, shqiptarët kanë shfaqur vullnetarizmin e tyre edhe në donacione të shumta të ofruara si pranë autoritetet shtetërore, ashtu edhe pranë organizatat jofitimprurëse.

Nga një vëzhgim i Portës Vendore rezulton se deri tani janë dhuruar mbi 60 milionë euro nga donatorë të mëdhenj, ndërsa nuk kanë munguar donacionet edhe nga njerëz të artit, sportit dhe kulturës, ku disa prej tyre i kanë bërë publike, disa të tjerë jo. Por, ajo që vihet re është fakti se janë mbi 20 donatorë, biznesmenë, apo shtete të huaja, që deri tani kanë dhuruar nga 100 mijë deri në 20 milionë dollarë. Madje, sipas përllogaritjeve rezulton se aktualisht janë dhuruar rreth 40.5 milionë euro dhe 22.6 milionë dollarë. Një kontribut i vyer është dhënë edhe nga shqiptarët e thjeshtë, të cilët kanë një llogari bankare, ku nëpërmjet platformës “E-albania”, kanë dhuruar mbi 500 mijë euro.

Image

Sa i takon biznesmenëve rezulton se dhurime ka pasur si nga shqiptarë brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit. Lazim Destani, babai i aktorit Blerim Destani ka dhuruar 3 milionë, euro, Shefqet Kastrati, 1.5 milionë euro; Behgjet Pacolli, 1 milion euro dhe një pallat; Samir Mane me Balfin Group, 1.2 milionë euro; kompania Salillari, 1 milion euro; Bashkim Ulaj me kompaninë Gener 2, 1 milion euro dhe 20 apartamente.

Por nuk kanë munguar donacionet edhe nga bizneset e huaja. Dy kompani me pronësi kineze që operojnë me koncesione në Shqipëri, konkretisht, Bankers Petrolium dhe koncesionari i Tirana Airport “Nënë Tereza”, që kanë dhuruar nga 1 milion euro secili. Po ashtu, miliarderi amerikan George Soros ka dhuruar 500 mijë USD.

Lista me dhurimet nuk ndalet me kaq, pasi edhe OJF-të kanë arritur të mbledhin fonde të konsiderueshme parash. Fondacioni Firdeus me administrator Elvis Naçin ka arritur të mbledhë 5.1 milionë euro; “Fundjava Ndryshe” me administrator Arbër Hajdari, 2 milionë euro dhe gazetari Marin Mema me fondacionin “Rrënjët Shqiptare” 2.1 milionë USD. Megjithatë, Arbër Hajdari ka deklaruar se nga fondet e mbledhura nga OJF-të, rezulton se janë mbledhur rreth 20 milionë euro, pavarësisht se ende nuk ka të dhëna mbi OJF-të e tjera.

Image

Po ashtu Komisioni Europian ka deklaruar se do të dhurojë 15 milionë euro, pa përjashtuar edhe donacione të konsiderueshme nga shtetet e tjera. Katari mban vend të parë me 20 milionë USD, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar 3.2 milionë euro. Ndërsa Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan ka deklaruar se do të ndërtojë 500 shtëpi. Ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Austria, Azerbajxhani dhe Greqia. Lidhur me donacionet e deritanishme, Kryeministri Rama deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë se donacionet përllogariten deri tani në 7 miliardë lekë të reja, ose e thënë ndryshe rreth 60 milionë euro, aq sa rezulton edhe nga përllogaritja e bërë nga Porta Vendore për donacionet e mëdha.

Po ashtu, gjatë ditëve në vijim pritet që të organizohet edhe një konferencë ndërkombëtare për mbledhje donacionesh, konferencë e kërkuar nga kryeministri Rama gjatë një takimi me Trump, Merkel dhe Macron gjatë samitit të NATO-s, të zhvilluar në Londër. Kjo konferencë donatorësh pritet të zhvillohet në Francë, pas kërkesës së bërë nga vetë Presidenti Macron për t’u zhvilluar në vendin e drejtuar prej tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu