Këtë të martë, 6 Tetor 2020, Këshilli i Europës ka publikuar listën e re të vendeve që cilësohen ‘parajsa fiskale’ sepse garantojnë taksa të ulëta ose edhe zero dhe mbajnë sekretin e origjinës dhe poseduesit real të parave apo kompanive.

Këto vende sipas raporteve të BE dhe Departamentit të shtetit gjithashtu janë shndërruar edhe në ‘parajsa’ të parave që vijnë nga evazioni fiscal apo korrupsioni.

Janë Anguilla, një territor britanik i vendosur në Karaibe dhe Barbadosi që ka hyrë së fundmi në listën e re të KE, ndërsa kanë dalë Ishujt Kajman dhe Omani, sepse kanë miratuar reformat e nevojshme për të përmirësuar kornizën e tyre të politikës fiskale.

Anguilla dhe Barbados u përfshinë në listën e BE pas raporteve të botuara nga Forumi Global mbi Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacionit për Qëllime Tatimore, i cili uli vlerësimet e Anguillas dhe Barbadosit, përkatësisht, në ‘jo të pajtueshme’ dhe ‘pjesërisht në përputhje me standardin ndërkombëtar për transparencën dhe shkëmbimin e informacionit sipas kërkesës’.

Pas këtij përditësimi, janë dymbëdhjetë juridiksione të mbetura në listën e BE: Samoa Amerikane, Anguilla, Barbados, Fixhi, Guam, Palau, Panama, Samoa, Seychelles, Trinidad dhe Tobago, Ishujt Virxhin të ShBA dhe Vanuatu.

Lista e BE-së përfshin një numër vendesh jo-anëtare të BE-së që inkurajojnë praktika abuzive të taksave, të cilat dëmtojnë të ardhurat nga taksat për vendet anëtare. Duke identifikuar këto vende në nivelin e BE-së, vendet anëtare mund të veprojnë së bashku për t’i nxitur këto shtete drejt zbatimit të reformave.

Gjithashtu Bashkimi Europian përpilon çdo vit edhe një listë tjetër e ashtuquajtur,  ‘lista gri’, për sa i përket vendeve që  trajtohen si parajsa fiskale për krimin e organizuar.

Shqipëria vazhdon të jetë në këtë listë që nga viti 2017 dhe mbahet ende nën monitorim të rreptë nga BE.

Në këtë listë Shqipëria mban shoqëri me vende si Emiratet e Bashkuara Arabe e cila u shtua së fundmi në listën e zezë të parajsës fiskale, por edhe me  vende si ishulli holandez Aruba në Karaibe, Barbados, Belize, territori britanik jashtë shtetit, i Bermudës, Fixhi, Ishujt Marshall, Oman, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vanuatu dhe Dominika, Ishujt Virxhin

Gjatë vitit 2019 u paralajmërua se Shqipëria si pjesë e ‘listës gri’ rrezikon shumë të kalojë në listën e zezë, çka mund ta përballë  me dëmtime reputacioni dhe kontrolle më të rrepta për transaksionet me BE-në.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu