Nga Fatos Lubonja


Viti 2019 do të mbahet mend si viti i tërmetit që vrau 51 njerëz dhe shembi apo dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa të vjetra dhe të reja. Janë të shumtë ata që kanë shprehur urimin që kjo shkundje të na shërbejë si mësim për të mos u përsëritur më tragjedi të tilla. Do të doja ta bëja këtë urim për Vitin e Ri 2020, por meqenëse më duket si të ngre një kupë bosh, preferoj të bëj thjesht një paralajmërim.

Arsyeja pse më duket kupa bosh është se pas tërmetit nuk kam parë të hapet një temë, që për mua është baza nga ku do të duhej të fillonte një shkundje në mendjet e shqiptarëve. E kam fjalën për nevojën e vënies në dyshim të paradigmës mbi raportin e njeriut me natyrën, në të cilën jemi mbështetur këta 30 vjet. Ç’dua të them me këtë? Kur ra tërmeti i 21 shtatorit, nëpër media mbizotëroi mesazhi se tërmeti ishte një provë se ndërtuesit e Shqipërisë së re, të pas ’90-ës, kishin punuar mirë, pasi ndërtesat e tyre nuk u shembën. Njerëzit fjetën të qetë në pallatet e tyre të reja, por ja që erdhi ai i 26 nëntorit që i rrëzoi apo shndërroi në të pabanueshme edhe shumë syresh, por përsëri të njëjtët zëra mbizotërues nxituan të thonë se këto ishin shmangie nga normat, pasi gjithçka mund të ndërtohet, gjithkund mund të ndërtohet, mjafton të përdorësh teknologjinë e duhur.E pra, një qasje e tillë në thelbin e vet ka të bëjë me mbizotërimin thuajse total në vendin tonë të paradigmës kulturore të kohës së modernitetit, që predikon besimin e njeriut te miti i zhvillimit të pareshtur teknologjik, që natyrën e sheh si materie për ta pushtuar e përdorur për lavdinë dhe pasurimin e tij.

Ndryshimi i kësaj paradigme do të duhej të fillonte me debatin mbi ndërgjegjësimin e rreziqeve që ka shkaktuar aktiviteti njerëzori bazuar te ky mit i zhvillimit,si shterimi i burimeve energjetike të planetit, prishja e ekosistemeve, ngrohja globale, ndotjet e rrezikshme etj.. Tragjeditë që shkaktoi tërmeti nuk mund të mos shihen edhe si manifestim i mungesës thuajse totale në Shqipëri të vetëdijes së problematikës së kësaj teme tepër të debatuar në kohën që po jetojmë, që në thelbin e vet nuk ka të bëjë vetëm me raportin me natyrën e burimet e saj, por edhe me mënyrën e prodhimit dhe me sistemin e vlerave që udhëheqin shoqërinë tonë.

***

Raporti i njeriut me natyrën, në fakt, është një temë shumë e thellë, që na çon në dy traditat bazë të qytetërimit perëndimor (për të ndalur vetëm te ky qytetërim): atë të Greqisë së lashtë dhe atë hebreo-kristiane, që kanë një ndryshim thelbësor midis tyre në këtë aspekt. Grekët e lashtë e shihnin natyrën si një sfond të pandryshueshëm, të cilin, sikurse thoshte Herakliti, nuk e ka krijuar asnjë zot dhe asnjë njeri; kurse njeriun ata e shihnin si pjesë të kësaj natyre, që lindte dhe vdiste si të gjitha qeniet e gjalla. Kjo i bënte grekët e lashtë të përdornin për njeriun shprehjen “vdekatar”. Platoni u drejtohet këtyre vdekatarëve duke u thënë: Mos kujtoni se natyra është në shërbimin tuaj, ju duhet ta ndërtoni jetën duke iu përshtatur asaj, duke mësuar prej saj. Tek Eskili, kur kori e pyet Prometeun, që u kishte dhënë njerëzve zjarrin (teknikën), se kush është më e fortë teknika apo ligjet e natyrës, ai përgjigjet se teknika është shumë herë më e dobët.

Në traditën hebreo-kristiane kemi një ndryshim paradigme. Sipas saj, natyra nuk është ai sfondi i pandryshueshëm që nuk e ka krijuar asnjë zot e asnjë njeri, por është krijuar nga vullneti i një Zoti aktiv, i cili, sipas Testamentit të Vjetër, kur krijoi njeriun, i tha (Adamit): Do të dominosh mbi kafshët e tokës, mbi peshqit e ujërave dhe mbi zogjtë e qiellit. Me fjalë të tjera, natyra, sipas këtij vizioni për botën, shikohet si një ente në shërbim të njeriut. Gjithë sipas kësaj tradite, njeriu nuk është më një vdekatar, si të gjitha qeniet e tjera të gjalla, por do të vazhdojë të jetojë në botën tjetër.

Kritikët e mitit të zhvillimit pa cak të qytetërimit modern, ndër të cilët zëri më i thellë është ai i Heideggerit, e gjejnë origjinën e rreziqeve që i kanosen njerëzimit nga bombat e shumta (jo vetëm bërthamore) që ka prodhuar, te fitorja e traditës hebreo-kristiane mbi atë të grekëve të lashtë. Sipas tyre, kjo fitore (iluzore) e ka bërë njeriun perëndimor të harrojë urtësinë greke, që e sheh atë si pjesë dhe josundues të natyrës, si vdekatar dhe jo si të përjetshëm; e ka bërë të harrojë mësimin e Orakullit të Delfit “çdo gjë me masë”, duke e shtyrë të kalojë çdo masë në bindjen se ai është padroni i kësaj bote, aq sa më në fund ka vrarë edhe Zotin (Niçe), duke e zëvendësuar atë me zotin teknologji dhe zotin para, që i premtojnë parajsën mbi tokë.

***

Problemi shqiptar është se, ndërkohë që problematika e raportit të njeriut me natyrën në Perëndim është marrë e rimarrë, të paktën që nga koha e Rusoit të “kthimit te natyra” për të arritur një kulm në shekujt e XX-XXI – aq sa sot atë e kanë bërë të tyren edhe fëmijët (shkoni lëvizjen e Greta Thunberg) – në këtë provincën tonë njerëzit e drejtuar nga elita sa injorante aq edhe manipulative vazhdojnë të jetojnë sikur të ishin në epokën kur mendohej se sa më i madh pushtimi dhe shfrytëzimi i natyrës, aq më i madh superioriteti i qytetërimit, të cilit i përkasim. Ndryshe mund të thuhet se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë me kulturën e modernitetit, ndërkohë që Perëndimi është në postmodernitet, që nënkupton mes të tjerash një vështrim fortësisht kritik të asaj çka ka bërë ai në modernitet.

Duke iu referuar Heideggerit, do të thosha se një qasje e tillë ndaj natyrës e ka bërë njeriun shqiptar të kapitalizmit globalist ta shohë pyllin vetëm me syrin e druvarit. Çfarë kam parasysh me këtë? Nëse shkojnë në një pyll një poet dhe një druvar, ata nuk e shohin pyllin me të njëjtin sy. Poeti përjeton atmosferën e pyllit, dëgjon cicërimat e zogjve, fëshfërimën e gjetheve, me idenë që t’u këndojë atyre, kurse druvari e sheh me mendimin se sa dru mund të presë për ta shitur e për të fituar para. Në mënyrë figurative (por edhe në realitet, po të kesh parasysh masakrimin që u kemi bërë pyjeve), qasja e druvarit është bërë te ne e vetmja qasje ndaj natyrës si dhe përcaktuese e gjithë sistemit tonë të vlerave. Druvari ka vrarë poetin brenda nesh për të cilin fola, por edhe piktorin brenda nesh që shkonte në një gji të bukur deti (siç ka qenë edhe Gjiri i Durrësit), për të bërë një peizazh. Ai ka mbytur kanoistin, që shkonte në një lumë të rrëmbyeshëm për t’u dëfryer, duke e futur së bashku me ujin në tuba hidrocentralesh. Të njëjtin fat ka pësuar alpinisti, që e kanë vrarë minat e guroreve të druvarëve në male; arkeologu, që e kanë murosur në themelet e betonit të pallateve, teksa gërmonte për të zbuluar qytetërimet e lashta. Të gjithë ata që kanë adhuruar gjelbërimin e barit e të parqeve, sot dergjen të çimentuar në grinë e ftohtë të mafies së druvarëve të betonit.

Sikurse e thashë edhe më sipër, burimi i këtij tjetërsimi nuk është shqiptar. Shqiptar është manifestimi në trajtën më ekstreme i fenomenit për shkak të injorancës ekstreme për sa i përket temës në fjalë, kombinuar me babëzinë ekstreme për pronë e pasuri dhe paaftësinë ekstreme për ta vënë këtë në forma të tjera nga shfrytëzimi barbar i natyrës. Kësisoj, Shqipëria mund të quhet e vetmja republikë e druvarëve në botë (siç vetëquhej para 30 vjetësh “i vetmi vend socialist në botë). Është një republikë ku nuk ka Ministri të Kulturës, por një ministri të druvarëve të kulturës, që merren kryesisht me lejet për të prishur monumentet e kulturës për të ndërtuar në vend të tyre kulla; ku nuk ka Ministri të Turizmit, por druvarë të turizmit, që bukuritë natyrore i shndërrojnë në pllaka dhe kube betoni; ku nuk ka një Ministri të Sportit, por druvarë të sportit, që prishin stadiume për t’u hapur truall druvarëve të ndërtimit; ku Policia, Prokuroria e Gjykatat shërbejnë si roje private të interesave të bosëve druvarë. Aq larg kemi shkuar në ndërtimin e kësaj republike, saqë edhe gjuha po krasitet me sëpatën e druvarëve duke i bërë fjalë të tilla si biologji, zoologji, botanikë, speleologji, ekologji, paleontologji etj., të zhduken nga fjalori i shqiptarëve, ndërkohë që si profesione janë zhdukur me kohëse pse ashtu si ata të poetit, shkrimtarit, piktorit, skulptorit, aktorit nuk sjellin para (përveç rasteve kur këta e përdorin talentin për të reklamuar druvarët). Me shumë gjasa, si në “Vitin 84” të Orwellit, së shpejti kryedruvari do të hapë edhe një ministri të reduktimit të gjuhës, që do ta institucionalizojë nxjerrjen jashtë përdorimit të fjalëve të tilla.

***

E pra, diskursi posttërmet nuk më jep shpresë se do të ndryshojë gjë, pikërisht sepse shoh që sëpata e druvarëve vazhdon të presë me tërbim. A e dëgjuat kryedruvarin e Bashkisë së Tiranës, që së fundi i quajti “çetë” që “kërkon t’i kundërvihet zhvillimit” aktorët, artistët dhe intelektualët që mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shembja? Asnjë fije reflektimi nuk ka ngjallur ky tërmet te kjo specie, përkundrazi, po e shohin edhe atë si një sfidë të re për sëpatat e tyre. A keni parë që kryedruvari të thërrasë në tryezë ndonjë poet, shkrimtar, arkeolog, ekolog, muzikant, zoolog, biolog që t’i thotë se projekti i strehimit të banorëve duhet të ndërtohet mbi idenë e frenimit të çimentifikimit e betonizimit të mëtejshëm të kësaj cope natyrë që na ka rënë për hise: se ajo na duhet edhe për gjëra të tjera, përveçse për dru me pre (duke e mbështetur këtë edhe me faktin se numri i ndërtimeve që kanë bërë druvarët këta 30 vjet i tejkalon, ndoshta disa herë, nevojat e shqiptarëve për banim)? A keni dëgjuar t’i thotë dikush se sikur të kishim ndërtuar një jetë në harmoni me natyrën dhe jo kundër saj, një sistem vlerash që ushqen dëshirën për të jetuar mes natyrës dhe jo për ta masakruar atë, se sikur të kishim pasur ca më shumë dije e dashuri për arkeologjinë e monumentet e kulturës, sot, në një qytet me histori botërore si Durrësi, jo vetëm do kishim pasur shumë më pak dëme, por do të kishim pasur edhe shumë herë më tepër solidaritet kombëtar dhe ndërkombëtar për t’i riparuar ato?

Prandaj, në vend të urimit, po shpreh këtu paralajmërimin se Shqipëria, po nuk ndryshoi kulturën që e ka shndërruar në republikë të druvarëve, duke ndryshuar edhe institucionet që ka ngritur kjo kulturë, rrezikon të pësojë fatin e Ishullit të Pashkëve. Për ata që nuk e dinë historinë e këtij ishulli, po e them me dy fjalë: Atje dy fise druvarësh u vunë në garë se kush do të ndërtonte statujat prej guri më të larta. Duke qenë se për këtë kishin nevojë të ngrinin skela druri, filluan të presin pemët e pyllit. E bënë këtë punë për disa breza rresht derisa e shpyllëzuan ishullin, aq sa erozioni bëri pastaj të vetën dhe më në fund ishulli u zbraz nga njerëzit dhe mbeti i banueshëm vetëm për statujat absurde prej guri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu