Mbrëmjen e djeshme botuesi dhe analisti i njohur Henri Çili u lirua nga qelia pas dy ditësh qëndrimi, ku ndaj tij u mor vendimi “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Faktit të Përmetit.

Pas një seance tepër të gjatë prej 10 orësh, Çili u la i lirë, ku jashtë gjyqit e prisnin të afërm, kolegë e miq.

 Menjëherë ai foli në një prononcim për mediat, duke thënë se kjo ishte një prove e vështirë që e bindi se duhet të thellojë studimet në fushën e së drejtës penale.

“Një absurd i paimagjinueshëm, deri në kufijtë e çmendurisë. Gjithsesi ishte një provë e vështirë që më bindi se duhet të thelloj studimet e mia në fushën e së drejtës penale”, i deklaroi Çili të dërguarit të Newsbomb në Përmet pas lirimit.


Ndersa avokati i tij Andi Duraj u shpreh se “Kur të dalë vendimi i Gjykatës do të shikoni edhe lapsuset që janë bërë. Kam nënshkruar deklaratë që nuk mund të bëj publike të dhënat. Ne fituam një betejë, por jo luftën, do ta quajmë fitoren kur të mos ketë asnjë lloj mase sigurie” – tha avokati. I pyetur se kush është “zyrtari i lartë i drejtësië” që pretendon Prokuroria ai tha se “nuk ka asnjë lloj zyrtari të lartë të përfshirë dhe se gjithçka është aludim”. Atëherë kush e sajoi keni informacion? “Shpresoj të jetë keqkuptim” – tha avokati.


Dje Gjykata e Përmetit dha vendimin për lirimin nga burgut të 13 personave dhe dhënien e masës së arrestit me burg për 18 të tjerë nga 31 të arrestuarit në kuadër të operacionit të koduar si “Mezhgorani”.

Botuesi Henri Çili, njëkohësisht dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës, është një nga personat e liruar ndaj të cilit u vendos masa “Detyrim paraqitje”, ndërsa mbi të ishin ngritur nga Prokuroria 6 akuza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu