Paraditen e sotme policia vuri në pranga 36-vjeçarin Sotir Çabiri si autorin e dyshuar të hedhjes në erë të hotel “Bizantit” në qytetin e Sarandës.

Sotir Çabiri dyshohet se e ka kryer krimin pasi ishte i motivuar nga konflikti i pronësisë që babai i tij Spiro Çabiri kishte për objektin në fjalë me shtetasin grek Dhimitër Evangjeliu, që prej vitit 2002.

Procesi gjyqësor për ndarjen e pronësisë duket se ishte në përfundim dhe pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Evangjeliut, ndaj 36-vjeçari i ka vendosur lëndën plasëse objektit prej 700 metër katrorë, që ndërtuar në vitin 1996.

Çabiri u zbulua nga kamerat e sigurisë pasi ka dalë 3 minuta para shpërthimi nga hoteli, por ai vetë ka mohuar akuzat duke mos pranuar autorësinë e krimit.

Në dëshminë e tij pas arrestimit, 36-vjeçari ka deklaruar se ishte kthyer në hotel pasi kishte harruar diçka.

“Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, është shprehur ai teksa është ballafaquar me pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet duke hyrë dhe dalë nga hoteli 3 minuta para ngjarjes.

Sakaq, sipas policisë tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

Nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan 30 objekte pranë hotelit, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ndërkohë, policia ka sekuestruar dhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.