Nga Kastriot Islami

Italia ka filluar të reflektojë për vazhdimin … pra ka filluar të programojë “hyrjen në ‘fazën 2’, që quhet ndryshe faza e bashkë-ekzistencës me virusin…”. Ky reflektim ka filluar pikërisht tani kur sapo janë ndërgjegjësuar se po ulet numri i viktimave, që realisht është ende i lartë, por me një ritëm më të ulët sesa disa ditë më parë… Ky “stabilitet relativ” si përsa i përket numrit të të infektuarve, po ashtu edhe të viktimave, mesa duket ka lënë hapësirë për të menduar/reflektuar për të ardhmen pas-pandemisë…

Po diskutohet e përpunohet një plan strategjik… që do të bëhet publik në momentin e duhur…:

1. Ky plan strategjik mbështet në disa piketa, por ajo që është e “padiskutueshme” lidhet me faktin se dalja nga “gjendja e izolimit dhe masave të forta” drejt normalitetit do të kryhet në mënyrë “graduale e të diferencuar”.

2. Po ashtu, mesa duket në të ardhmen e afërt, e gjithë popullsia do të jetë e detyruar të “mbajë maska”, në daljet në rrugë, në punë, në mjediset publike… një “praktikë aziatike” që mesa duket do të bëhet e detyrueshme edhe për europianët… Qeveria po merr të gjitha masat, që përveç garantimit nga jashtë të sasisë së nevojshme të maskave, të nxisë prodhimin në vend të maskave, madje edhe të maskave shumë-përdorimëshe..

3. Dalja nga izolimi do të kalojë përmes respektimit strikt të “distancimit social” në vendet e punës e të shërbimeve ku ka grumbullime….kjo do të jetë një praktikë e re e detyrueshme për një kohë të pacaktuar…

4. Po planifikohet të kryhet një “testim masiv” i popullsisë për të përcaktuar numrin e saktë të personave të kontaminuar, ose numrin e personave që kanë fituar imunitetin nga prekja nga COVID-19. Nëse kjo do të rezultonte e vështirë, atëherë po mendohet të kryhet “testimi” i “kampioneve përfaqësuese” me dimensione sa më të mëdha.

5. Po merren masa të forta për të vënë në veprim të gjithë “rrjetin sanitar vendor” në mënyrë që në të ardhmen e afërt çdo pacient të merret në ngarkim prej tyre që nga identifikimi, testimi e trajtimi i pacientëve me COVID-19…

6. Në Romë po mendohet edhe për të përdorur një “aplikim në celular” bazuar në modelin koreano-jugor që lejon i) të “gjurmohet me detyrim” lëvizja e të gjithë personave të infektuar apo të dyshuar për të sensibilizuar më tej të gjithë qytetarët e tjerë që kalojnë në distancë prej 2 metrash pranë tyre me kushtin që edhe ata të kenë vendosur aplikimin në celularin e tyre (ky propozim ka hapur diskutimin për dhunimin e të drejtave themelore dhe të privacisë) dhe ii) ndjekjen në 48 orët e para të të infektuarve nga COVID-19 përmes telemjekësisë duke mbikëqyrur madje në shtëpi frekuencën kardiake apo nivelin e oksigjenit në gjak të pacientëve të moshuar dhe me probleme shëndetësore që mund të jenë prekur gjithashtu nga COVID-19.

7. Baret, diskotekat, sallat e sporteve dhe restorantet mendohet të hapen të fundit…

8. Aktivitetet që kanë lidhje me rrjetin e shërbimeve ushqimore e farmaceutike mendohet të rifillojnë të parat aktivitetin e tyre të plotë… Ndërkohë artizanët duhet të kalojnë në një regjim me numër të kufizuar punonjësish… Në këto raste pronarët duhet të marrin masa që të garantohet “distancimi social” prej të paktën 1 metër për të gjithë klientët…

9. Të gjithë personat që do të dëshironin të hynin nga jashtë në Itali, do të duhet të “vendoseshin në karantinë izolim” të cilëve do t’ju bëhej me dije kur të hipnin në avion apo tren vendi i izolimit/karantinës…

10. Transporti publik mendohet të vazhdojë të kryhet, por me një frekuencë të ulët duke respektuar distancën mes pasagjerëve të cilët do të detyrohen të ngjiten në metro, autobus apo tren në numër të kufizuar dhe të ulen në ndenjëset e tyre duke lënë bosh një ndenjëse mes pasagjerëve…

11. Data me afërt e daljes nga “izolimi i gjeneralizuar” nuk mendohet të realizohet para 16 majit 2020… sepse Italia ndonëse gjendet mbi “pjesën e sheshtë” të kurbës së përhapjes së virusit, ende s’është në pjesën zbritëse të kësaj kurbe… Sipas ministrit të Shëndetësisë italiane, “rreziku s’është larguar… prandaj Italia ende s’ka mundur të dalë nga gjendja e emergjencës… Duhet të kalojmë edhe disa javë të vështira për të mos hedhur në erë sakrificat e bëra deri më sot…”…

12. Për rrjedhojë, shefi italian i emergjencës sociale ka deklaruar se “16 maj mund të jetë data e hyrjes në fazën 2” që ndryshe konsiderohet faza e bashkëjetesës me virusin me supozimin se evolucioni i pandemisë s’do të ndryshojë…

Po Shqipëria çfarë masash po merr? Duket heshtje e frikshme….Propagandë e neveritshme nga daljet revoltuese të vetëm një individi që vetëm shan, kërcënon dhe nuk thotë asgjë siguruese e optimiste… Por emeton vetëm pasiguri e stres… Si në asnjë vend tjetër… Për rrjedhojë qytetarët e varfër e të stresuar, e në shumë raste në prag të gjendjes së urisë, gjenden të vetmuar, pa asnjë mbështetje e deri të abandonuar në këtë betejë mes pasojave deri fatale të virusit dhe urisë që troket çdo ditë në portat e tyre… Edi Rama dhe qeveria e tij mesa duket nuk janë të ndërgjegjshëm për këtë gjendje traumatike për shumë qytetarë dhe një e ardhme e zymtë për shumicën e familjeve…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu