Tomorr Buzi, një shqiptar që banon në Romano të Italisë ka kryer një gjest heroik pasi ka shpëtuar jetën e një foshnje 4 muajshe.

Tomorr Buzi ishte me gruan dhe vajzat kur dëgjoi një grua që po bërtiste me të madhe duke kërkuar ndihmë, ndërkohë që foshnja e saj po qante. Ajo kishte rënë në ujërat e ftohta të liqenit Braies ndërsa shqiptari sapo i pa  vrapoi për t’i shpëtuar.

 “Askush nuk do t’i rezistonte kurrë klithmave të një gruaje që kërkon ndihmë, aq më pak të një foshnje. Është aq i vogël dhe i pafuqishëm. Kur e pashë, instikti më çoi që ta shpëtoja menjëherë. Është çështje sekondash dhe nuk mendon asgjë tjetër. Në atë moment, misioni im ishte ta shpëtoja”, tha Buzi, i cili banon në Romano.  

Buzi u zvarrit dhe u rrotullua me kujdes në akull, për të arritur tek fëmija në rrezik dhe arriti ta shpëtojë atë.

“Më thanë që kur Tomorri pa fëmijën dhe prindërit në rrezik, nuk hezitoi që t’i ndihmonte. Një përgjegjës, i pushtuar nga emocionet teksa rikujtonte momentet dramatike, më tregoi se si mori fëmijën në krahë nga Tomorri, një fëmijë, i cili i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes në kohë dhe heroike të bashkëqytetarit tonë. Kërkova që të takoja personalisht zotin Tomorr Buzi për të pasur mundësinë që t’i shtrëngoja dorën, ta falenderoja dhe t’i shprehja në emër të gjithë komunitetit tonë se ne jemi krenarë për të”, tha kryebashkiaku i Romanos, Sebastian Nicoli.