Pele është në gjendje serioze dhe gjatë orëve të ardhshme, familjarët por edhe mjekët presin më të keqen. Lajmet që vijnë nga Brazili nuk janë aspak optimiste pasi gjendja e legjendës është përkeqësuar pasi sëmundja ka avancuar shumë dhe tashmë është pothuajse e pamundur për të dhënë një sinjal pozitiv.

I shtruar në spitalin e San Paolos, Pele po lufton me kancerin dhe sipas informacioneve që vijnë, të afërmit po përgatiten t’i japin lamtumirën. 82-vjeçari është shtruar që në datën 29 nëntor dhe aktualisht është në terapi intensive ku mezi arrin të flasë me shumë vështirësi.

Gjithsesi, ai është i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt. Dy vajzat dhe bashkëshortja nuk janë larguar nga spitali për asnjë moment ndërsa Brazili dhe gjithë bota janë në krahun e “Mbretit” në luftën e tij më të vështirë, atë me sëmundjen e rëndë.