Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike të Shqipërisë pozicionohet kundër emërimit të Diana Çulit, si anëtare e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit. Shoqata shpreh si argument të kaluarën e Diana Çulit në regjimin komunist.

“Ndal rikthimit në pushtet të kriminelëve të Sigurimit të Shtetit! Ekspertja e Sigurimit të Shtetit autorja e ekspertizës që çoi në pushkatim poetin Genc Leka kandidat për anëtare e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit. Aktualisht procedura është në Kuvendin e Shqipërisë dhe figura e saj po verifikohet nga institucionet e pastërtisë së figurës. Është tashmë e dokumentuar botërisht pjesëmarrja e saj në krimet e komunizmit dhe zgjedhja e saj në një institucion me rëndësi siç është KKRT do të përbente një krim më vete nga Kuvendi i Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër që në shkelje të ligjit e mundëson zgjedhjen e saj. Në bazë të ligjit ajo nuk mund të zgjidhet për shkak të pjesëmarrjes së vërtetuar me prova e dokumente në krimet e Sigurimit të Shtetit por, ne kemi informacione se po përdoret një artificë ligjore sipas të cilës kush ka marrë një vërtetim pastërtie nga Komisioni Bezhani e merr sërish të tillë edhe pse implikimi i saj në krime është publik”, thuhet në një deklaratë të kreut të shoqatës, Nebil Çika.

Në këto kushte Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik i bën thirrje “Kuvendit të Shqipërisë, Autoritetit mbi Informonin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë të kryejnë detyrën e tyre e të mos fshihen pas ligjeve djallëzorë për të fshehur krimet e komunizmit dhe autorët e tyre”.

“I kërkojmë Partisë Demokratike dhe krejt opozitës si dhe Ambasadave të USA e BE dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit si dhe organizatave të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut të ushtrojnë çdo mundësi e influencë për të ndaluar vallen e rikthimit në pushtet të autorëve të krimeve të komunizmit”, thuhet më tej në deklaratë.

“Zgjedhja e Diana Çulit në krye të televizionit publik shqiptar është një fyerje për viktimat e krimeve të saj dhe familjarëve të tyre dhe krejt të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë. Fakti që kjo po ndodh në prag të pritjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE tregon edhe një herë se Shqipëria është shumë larg standardeve perëndimore të trajtimit të krimeve komuniste dhe autorëve të tyre”, mbyllet deklarata.

Dokumentat e publikuara nga shoqata

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu