“Hapet bypass-i i Tepelenës, një vepër tjetër e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare, vihet në shërbim të qytetarëve e të sipërmarrjes.

I trashëguar ndër dekada si një shteg buzë kalasë së Ali Pashës, sot segmenti që lidh dy segmentet e rëndësishme rrugore, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë -Gjirokastër-Kakavijë, ofron dhe një panoramë fantastike për udhëtarët, si edhe një hapësirë të re lëvizjeje për këmbësorët, duke e fuqizuar më tej ofertën e Tepelenës turistike”

Mund të duket e pabsueshme për këto fjali triviale, fare banale, komike dhe të fryra pa kuptim i ka thënë kryeministri i Shqipërisë. Që mund të quhet edhe si kryeministri i bypass-ve. Kryeministri  i anashkalimeve strategjike që sjellin zhvillim dhe mirëqenie, që u dhurojnë qytetarëve të pamendueshmen: u heq plasjen e buzës duke ecur e ecur nëpër rrugë pa rrugë.

Kështu me bypass në Fier e në Tepelenë shpejtohet lidhja nga njëri vend në tjetrin, vetëm se kush i bën këto rrugë e di edhe një të vërtetë tjetër. Nga Levani në Gjirokastër kalon nëpër një rrugë që nuk ka asnjë sinjalistikë. Rrugë e mirë kuptohet, panoramike, por në të cilën mundet edhe të ecësh duke fjetur i qetë se askush nuk të parakalon apo kryqëzon.

Rruga Tepelenë – Përmet është si të kthehesh 30 vjet para, bosh dhe pa jetë. Të duket madje si përvojë arkeologjike edhe pse ndërtimet e reja nuk mungojnë. Por ajo që është me të vërtetë irrituese në këtë status të këtij që bën kryeministrin e Shqipërisë është fraza:

“Ofron dhe një panoramë fantastike për udhëtarët, si edhe një hapësirë të re lëvizjeje për këmbësorët, duke e fuqizuar më tej ofertën e Tepelenës turistike”

Duhet të jesh fare pa cipë, një gagarel bosh që të thuash se rruga e re ofron panoramë fantastike, pasi qëkur mbajmë mend se jemi në këtë dynja e kemi udhëtuar, rruga nga Saranda deri në Ballsh ka qenë përherë panoramike. Bypass i tanishëm ecën në gjurmët ekzistuese të rrugës së dikurshme ndaj nuk ka sesi panorama të ketë ndryshuar nga Tepelena, një qytet me pozicion shumë kyç mbi Vjosë, që sheh thellë drejt Dragotit e më tej në horizontet e Drinosit.

Për çfarë panorame flet ky i papunë që nuk di se çfarë të bëjë më për të dalë në kamera me shpallje për progresin? Nuk është për t’u çuditur që dikur të shohim këtë njeri që flet për traditën e shkëlqyer të pilafit dhe mishit të pjekur në zonat e Jugut, duke na rikonfirmuar për të disatën herë se në Shqipëri, për arsye të pakuptueshme, pushteti jo vetëm i korrupton financiarisht, por edhe moralisht. Ai korrupton edhe perceptimet, duke prodhuar grimca budallallëku dhe hipokrize fare banale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu