Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj, ka thirrur në takim Shtabin Koordinues në Qark mbi marrjen e masave urgjente për sistemimin e shtetasve shqiptare që kërkojnë të futen në territorin shqiptar nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavies.
Nisur nga situata e krijuar gjatë ditëve të fundit si pasojë e hyrjes jo të rregullt në rrugë tokësore të shtetasve shqiptarë nga kufiri i gjelbër është krijuar ky precedent i ri shqetësues i cili kërkoi angazhimin e të gjithë anëtarëve të Shtabit Koordinues për përballimin e situatave të mundshme që mund të krijohen edhe në ditët në vazhdim.
Për personat që përdorin vijën e gjelbër për të kaluar kufirin me pretendimin që nuk kanë gjendje monetare për të siguruar vetëkarantinimin është propozuar tek ministrat përkatës që të përdoren ambientet publike për akomodimin e këtyre shtetasve siç është Konvikti i Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve sh.a Gjirokastër dhe ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve në Bashkinë Libohovë si dhe është propozuar gjithashtu mbështetja me mjete logjistike si çarçafë, këllëfe jastëku dhe pako ushqimore nga Komisioni Qendror i Ofrimit të Asistencës.