Shqipëria është një nga vendet me konsumin më të lartë të bukës, një karakteristikë kjo e vendeve të varfra. Sipas të dhënave të fundit të Eurostatit, Shqipëria, një nga shtetet me të ardhurat më të ulëta të Europës, renditet si vendi, ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat e tyre.

Buka mbetet produkti numër një në tryezat e shqiptarëve, një traditë e vjetër kjo që ka nisur të zbehet pas viteve ’90, por pa lëshuar shumë terren për produktet e tjera. Në Shqipëri operojnë në treg rreth 5 mijë furra buke. Cilësia e bukës që ato ofrojnë çdo ditë është vënë shpesh në diskutim, siç ka ndodhur në jo pak raste edhe me produkte të tjera ushqimore. Disa  muaj më parë, pas shqetësimeve të ngritura u zëvendësua mielli i importuar nga Serbia me grurë.

Por sipas ekspertit të sigurisë ushqimore, Enriko Ceko, ulja e sasisë së importit të grurit nuk mund të quhet sukses. Kjo për shkak të reduktimit të popullsisë.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura herë pas here nga ekspertët ka qenë niveli proteinik. Një anketë e fundit e ISHP-së ka gjetur se anemia te fëmijët është rritur me gati 9% nga viti 2008-2018 si rezultat i kequshqyerjes nga buka pa proteina. Në bazë të standardit europian, nivelin i proteinave në miellin e bukës nuk duhet të jetë më poshtë apo më sipër se 12.5, por pavarësisht nga ajo që mund të deklarohet në dokumentacion, këtu ka hapësira për manipulim.

Por çfarë ka tjetër brenda buka që ne hamë përditë? Aditivët janë përmendur shpesh kur është fjala për manipulimin gjatë procesit të prodhimit, me qëllim uljen e kostove apo edhe rritjen e cilësisë në dukje të produktit.

Sipas AKU, kontrolle në lidhje me përbërës të tillë shtesë në bukë janë ushtruar herë pas here, shpesh pas denoncimeve të vetë qytetarëve.

Ngjyruesit janë shpesh një përbërës i bukës, për të cilin ne si konsumatorë nuk jemi në dijeni.

Një nga manipulimet tipike që i bëhen bukës përmes ngjyruesve është kthimi i bukës së bardhë në të zezë ose integrale.

Konsumatori shqiptar në shumicën e rasteve blen në furra, dyqane apo markete bukë për të cilën nuk ka asnjë informacion. Origjina e miellit, përbërësit e bukës apo pesha nuk reflektohen në ambalazhin e produktit. Por pavarësisht se një nevojë e domosdoshme dhe mbi të gjitha një e drejtë e konsumatorit, ky hap duket se është ende larg.

Një tjetër element që mund ta bëjë bukën të rrezikshme për shëndetin tonë është niveli i lagështirës në grurë. Në rast të mungesës së kontrolleve dhe masave paraprake, myku mund të kthehet në kancerogjen.

Prerja e bukës nga vetë furrat, një proces i aplikuar vitet e fundit në Shqipëri, mund të dëmtojë cilësinë e saj. Pavarësisht se është shumë më praktike të blesh një bukë të prerë sesa ta presësh atë vetë në shtëpi, ekspertët këshillojnë metodën e vjetër.

A ka forma të tjera me të cilat prodhuesit e bukës manipulojnë konsumatorin? Për të ulur humbjet dhe për të shtuar fitimin, hiletë janë nga më të ndryshmet.

Si një nga produktet ushqimore më të rëndësishme, buka dhe furrat ku ajo prodhohet, por edhe vetë lënda e parë janë subjekt i kontrolleve të AKU-së.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni që duhet të na garantojë ne sigurinë e produkteve që konsumojmë çdo ditë.

Po sa ia del AKU të na garantojë ne si konsumatorë se buka që blejmë dhe hamë çdo ditë është e sigurt? A i ka ajo kapacitetet e duhura njerëzore apo laboratorët e nevojshëm për analizat? Këto të fundit nuk mungojnë, por kur vjen puna te burimet njerëzore, duket se ky institucion u ka hapur dyert njerëzve që nuk kanë përgatitjen e duhur./Respublika

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu