Një numër jo i vogël drejtuesish nga qeveri dhe ushtri të të paktën 20 vendeve të botës sipas të dhënave të qarqeve të brendshme kanë qenë objekt përgjimi përmes shërbimit të mesazhit, Whatsapp.

Këtë ia kanë konfirmuar agjencisë Reuters grupi i ngarkuar me një hetim të brendshëm të degës së Facebook-ut, Whatsapp.

Whatsapp ka dorëzuar të martën aktakuzën kundër firmës izraelite të softwarëve NSO Group.

Kjo firmë akuzohet, se ka zhvilluar një program spiunazhi dhe e ka shitur atë, duke shfrytëzuar një boshllëk sigurie në serverat e Whatsapp-it. Me këtë janë hakeruar smartphonët e të paktën 1.400 përdoruesve.

Veç zyrtarëve, në listë janë edhe drejtues mediash dhe një numër aktivistësh të të drejtave të njeriut.

NSO kishte pranuar më parë se ka shitur programe spiunazhi vetëm për qeveritë që i përdorin ato në luftën kundër terrorit apo kriminalitetit. Për akuzat e reja NSO nuk është prononcuar.

Kreu i Whatsapp-it, Will Cathcart ka deklaruar se ky grup pretendon se punon me qeveritë.

“Por ne kemi zbuluar, se më shumë se 100 gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në majin e kaluar kanë qenë objekt sulmi. Ky keqpërdorim duhet të marrë fund.”

Kodi përmes videolidhjes

Sipas të dhënave, NSO ka përdorur një boshllëk sigurie në shërbimin e mesazhit, Whatsapp për të instaluar programin Pegasus.

Në smartphonët e përdoruesve është shfaqur vetëm një telefonatë videoje, – shkroi Cathcart në një artikull për “Washington Post”.

Pas rënies së ziles është instaluar një kod dëmtues për të instaluar përgjuesin.

Shërbimi Whatsapp u bëri thirrje përdoruesve që të aktualizojnë celularin për të mbyllur këtë boshllëk sigurie.

NSO u identifikua pas disa muaj hetimesh. Në vitin 2016 ekspertët e kishin akuzuar këtë firmë, se ka ndihmuar në përgjimin e aktivistëve në Emiratet e Bashkuara.

Pegasus është në gjendje të aktivizojë deri edhe kameran dhe mikrofonin e smartphoni-t të personit të përgjuar – shkruan Deutsche Welle.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu