Zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka dhënë një deklaratë për mediat , duke thënë se nuk ka asnjë rast të ri të gripit të shpendëve në 24 orët e fundit në vendin tonë.

Gjeci tha se vazhdojnë monitorimet dhe kontrollet në ferma, si dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.

“Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, edhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar nga ISUV gjatë 24 orëve të fundit, dhe po ashtu nuk ka patur as denoncime apo njoftime në numrin e gjelbër.

AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.

U kemi kërkuar bashkive bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje”, tha zv.ministrja.

Ndër të tjera, shtoi se duhet të gatuhet me temperaturë më të lartë se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.