Prej orës 6 të mëngjesit Greqia është paralizuar për shkak të një grevë kombëtare 24 orëshe që kanë shpallur sindikata e punonjësve të sektorit privat GSEE dhe konfederata e nënpunësve të shtetit ADEDY të cilat u kanë bërë thirrje gjithë punonjësve, të papunëve, studentëve e pensionistëve të protestojnë kundër masave të pamjaftueshme të qeverisë ndaj cunamit të shtrenjtësisë që ka përfshirë mbarë vendin.

Tre tubime të mëdha do të zhvillohen në qendër të Athinës dhe shumë të tjera në qytetet kryesore të vendit. Me sloganin qendror “rroga nuk na mjafton, llogaria nuk na del” sindikata e sektorit privat GSEE kërkon ndër të tjera rritje pagash dhe masa për t’u përballur me valën e shtrenjtësisë.

Prej 14 vitesh punëtorët mbajnë barrën e një krize të thellë që ka prekur të ardhurat dhe jetën e të gjithëve. Vitet kanë kaluar ,kriza po thellohet vazhdimisht, barrat mbeten, të drejtat tkurren”, thekson GSEE në njoftimin e saj.

Gota u mbush. Nuk do të pranojmë të vazhdojmë të paguajmë rritjen e energjisë elektrike, naftës, gazit, bukës dhe të gjitha produktet e nevojave të njerëzve,vetëm që mos preken përfitimet e grupeve të biznesit.Qeveria po instrumentalizon luftën në Ukrainë, nga njëra anë për të zhvendosur përgjegjësitë e saj për shtrenjtësinë dhe uljen e pagave të punëtorëve dhe nga ana tjetër për të vazhduar politikat e saj neoliberale”, shkruhet në deklaratën e konfederatës së nënpunësve shtetërorë ADEDY.

Në grevë marrin pjesë punëtorët e transportit publik si edhe Federata Panhelene e Hekurudhave (POS),ndaj do të ketë ndryshime në iteneraret e trenave që do të punojnë me 20% staf sigurie.Anijet e të gjitha kategorive do të qëndrojnë të ankoruara në porte, pas vendimit të sindikatës së marinarëve PNO për të marrë pjesë në grevën 24-orëshe. Të mbyllura do të jenë edhe portet tregtare të vendit.

Përkundrazi fluturimet do të kryhen normalisht në të gjitha aeroportet, pasi me vendim gjyqësor pas ankimimit të Autoritetit të Aviacionit Civil, greva e kontrollorëve të trafikut ajror, inxhinierëve elektronikë dhe kompanive të telekomunikacionit u konsiderua e paligjshme.Nga ana e tyre punojësit e Masmediave do të ndalin punën për katër orë në mesditë për të marrë pjesë në tubimet e ndryshme .