Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 dhjetor të vitit të kaluar.

Me këtë vendim, Komisioni i Rithemelimit merr drejtimin e Partisë Demokratike.

Ky vendimi i gjykatës legjitimon Komisionin e Rithemelimit dhe Kuvendin e datës 11 dhjetor të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Drejtimin zyrtar të kësaj force politike e ka Komisioni i Rithemelimit, i përbërë nga më shumë se 20 anëtarë.

Po ashtu sipas Gjykatës së Tiranës, do të njihet dhe logoja e re e PD-së, ndërsa duke iu referuar Kuvendit të 11 Dhjetorit, të gjitha strukturat aktuale të PD-së së drejtuar deri pak ditë më parë nga Lulzim Basha, kanë rënë.

Gjithashtu, statuti i ri përpiqet të bëjë të pavlefshëm kuvendin kombëtar të datës 18 të thërritur nga Lulzim Basha, duke sanksionuar që asnjë vendim tjetër i ndërmarrë pas hyrjes në fuqi të statutit, shfuqizohet automatikisht.

Në statut është parashikuar ngritja e një komisioni të përkohshëm, që do të hapë rrugën për ndryshimet e plota të partisë.

Me vendimin e dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, zyrtarisht dhe ligjërisht njihen vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së të mbajtur më 11 dhjetor 2021 nga grupi i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Sipas statutit të Kuvendit të PD të 11 Dhjetorit të Komisionit të Rithemelimit, ndryshimet i hapin rrugë primareve brenda partisë, me qëllim fuqizimin e anëtarësisë, sanksionojnë legalizimin e fraksioneve, si dhe përcaktojnë largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa për zgjedhjet lokale kryetari duhet të votëbesohet.