Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit të Vlorës duke çuar kështu në burg kryeinspektorin e IMT-së Himarë.

Apeli kishte vendosur masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për kryeinspektorin, ndërsa Gjykata e Lartë caktoi arrest me burg.

Sipas raportimeve dyshohet se kryeinspektori 37-vjeçar ka lejuar ndërtime pa leje në zona të ndryshme të Himarës.

Njoftimi i Policisë
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë bënë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Lartë, për shtetasin M. N., 37 vjeç, banues në Sarandë, Kryeinspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Gjykata e Lartë  ka vendosur prishjen e Vendimit datë 28.07.2021, të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila kishte vendosur masën “Detyrim paraqitje”, dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, datë 14.07.2021”, e cila ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”

Ky shtetas dyshohet se, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar ndërtime pa leje, në zona të ndryshme, në Himarë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.