Shkrimtari i madh gjirokastrit, Ismail Kadare, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tetovës. I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë, gjeniu i letrave shqipe e ka cilësuar këtë nderim “si një çast që çdo shkrimtar e ëndërron”.

“Duhet të më besoni se nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk di të flas fjalë nga më të ndërlikuarat që mund të gjenden në botë sepse kam atë mjeshtëri, mjeshtërinë e fjalës por sepse qaste të tilla janë shumë të rralla në jetën e një shkrimtari, të jetë para lexuesve të një prej qyteteve të pafundme të botës iliro-shqiptare”, tha mes tjerash Kadare.

Ai falenderoi të pranishmit, teksa shtoi se ngjarje të tilla pasurojnë edhe të ardhmen, që ju përket brezave të rinj.

“Unë kur dëgjoj fjalët e bukura tuaja për atë çfarë kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar, sepse shkrimtari ka mundime të mëdha kur shkruan, por nuk ka vlerësim më të madh për të sesa mbledhje të tilla kur njerëzit presin të dëgjojnë nga goja e tij diçka edhe më tepër për atë që kanë lexuar nga dora e tij. Ju falënderoj jashtëzakonisht”, pohoi Ismail Kadare.

Gazetarët dhe publicistët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e kanë cilësuar si triumf shumë përmbajtësor për shqiptarët e Tetovës këtë ngjarje. Sipas tyre, Ismail Kadare ka shkundur nga vendi të gjitha “shushunjat” të cilët luftojnë kulturën, identitetin, traditat e gjithçka që frymon shqip në këtë qytet.